Temperaturat e larta, 80 raste në ditë me helm në QSUT
Produktet e blera tek shitësit ambulantë, ruajtja për një kohë të gjatë e gatimeve në frigoriferin e shtëpisë, apo konsumimi i ushqimit në ku gatuhet kolektivisht mund të shndërrohen në një risk serioz për shëndetin e njeriut në këto temperatura të larta.
Helmimet nga ushqimet janë mjaft prezente gjatë verës, madje duke shënuar edhe flukse në urgjencën e infektivit në QSUT. Çdo ditë rreth 80 qytetarë kërkojnë ndihmën e mjekut pasi kanë patur të vjella, heqje barku, temperaturë. Mjekja infeksionist Esmeralda Meta, thotë se helmimet nga ushqimet nuk duhet të neglizhohen por të trajtohen me seriozitet sepse mund të jenë dhe vdekjeprurëse.
Edhe pse fluksi është gati i papërballueshëm, shërbimi i infektivit ka marrë të gjitha masat që mjekët të jenë shërbim, sipas një kalendari të përcaktuar më herët.
Fëmijët dhe të moshuarit janë më të riskuar nga helmimet e ushqimit. Mjekët rekomandojnë që të gjithë qytetarët të jenë të kujdeshëm për ushqimet që konsumojnë dhe në anën tjetër vizitë tek mjeku i familjes apo në qëndrat shëndësore për të shmangur komplikacionet e mëvonshme.