Fullani: Ekonomia shqiptare ka shënuar rritje, çmimet pësuan rritje të lehtë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, edhe pse çmimet e konsumit kanë pësuar një rritje si asnjëherë tjetër, ka thënë gjatë një dalje sot, se ato kanë pësuar vetëm një rritje të lehtë.
Sipas Fullanit, ekonomia shqiptare ka pësuar rritje gjatë këtij 3-mujori me 2.6%. Sipas Fullanit, rritja mbështetet në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve.
Fullani theksoi se është vendosur të mbahet e pandryshuar norma bazë e interesit në 4.5 për qind. Sipas tij, mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit është një përmbushje e objektivit afatmesëm për inflacionin.
Nuk shpenzojmë se skemi apo se duam të kursejmë? Fullani betohet për këtë të fundit
Qeveritarët por edhe drejtuesit e Bankës së Shqipërisë vijojnë ti mëshojnë faktit se ulja e konsumit në vend nuk vjen për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike të familjeve, por për shkak të pasigurisë se tyre për të ardhmen duke i bërë që të jenë më të prirur për të kursyer. Ja se çtha dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë: Të dhënat e tërthorta sugjerojnë për një ecuri të dobët të konsumit edhe në gjysmën e dytë të vitit 2011, por me tendencë përmirësimi në tremujorin e katërt të vitit. Të dhëna indirekte të përftuara nga ecuria e importit të mallrave të konsumit, nga treguesit fiskalë dhe nga treguesit e besimit të konsumatorit, japin sinjale për gjallërim të konsumit në këtë periudhë. Nga ana tjetër, prezenca e pasigurive për të ardhmen tek konsumatori shqiptar vijon të shkurajojë konsumin dhe të diktojë një sjellje të orientuar drejt kursimit.
Çështja qëndron në faktin nëse njerëzit nuk shpenzojnë se nuk kanë apo sepse kanë frikë për të ardhmen dhe priren të ruajnë disa lekë për një periudhë më të keqe. Kjo bën diferencën dhe shpjegon nëse ulja e konsumit gjatë këtyre muajve të fundit lidhet me shkaqe psikologjike apo pamundësie financiare..
Bankat skanë besim, borxhi i qeverisë çdo muaj e më i shtrenjtë
Nuk ka mjaftuar as ulja tre herë radhazi e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë për të ulur koston e borxhit të brendshëm të qeverisë. Lehtësimit të politikave monetare, bankat po iu përgjigjen duke shtrënguar kushtet e kreditimit nga njëra anë, por edhe duke e blerë më shtrenjtë borxhin e qeverisë nga ana tjetër.
Rasti më konkret për këtë ishte ankandi i fundit i zhvilluar nga BSH-ja për të marrë në emër të qeverisë rreth 15.3 miliardë lekëve nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit. Nga këto, 11 miliardë lekë u huazuan nëpërmjet bonove me afat maturimi një vjeçare dhe pjesa tjetër nëpërmjet bonove me afat tre mujor.
Për të tretën herë radhazi, interesat për bonot një vjeçare kanë pësuar rritje duke pasqyruar pasigurinë e bankave për të marrë përsipër një risk afatgjatë. Kështu, bonot një vjeçare u blenë në ankandin e djeshëm me interes mesatar prej 7.32 për qind duke shënuar një rritje prej 11 pikë përqindje krahasuar me ankandin e zhvilluar më datë 14 shkurt. Bankat i blenë bankat dje bonot një vjeçare shumë më shtrenjtë krahasuar edhe me ankandin e 31 janarit të këtij viti.
Importe minimale, thellohet kriza tek ndërtimi
Shqipëria njohu muajin e shkuar nivelin më të ulët të importeve që prej janarit të vitit 2011. Sipas INSTAT, vendi importoi rreth 35 miliardë lekë mallra gjatë janarit 2012 me një rënie prej 33 për qind krahasuar me dhjetorin 2011 dhe minus 3.7 për qind krahasuar me janarin 2011.
Rënia e importeve pasqyron edhe një herë rënien e konsumit në Shqipëri, tregues të cilët u shfaqen edhe gjatë dy muajve të fundit të vitit të shkuar. Megjithatë, konsumi gjatë dhjetorit u stimulua më shumë prej festave të fundvitit.
Por ky nuk është treguesi më shqetësues, pasi më problematik është fakti se importet kanë shënuar rënie të fortë pikërisht në mallrat që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit si edhe tek makineritë. INSTAT tregon se importi i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit ka renë nga 5.6 miliardë lekë në janar 2011 në 3.9 miliardë lekë në janar 2012. Importi i makinerive gjithashtu ka renë nga 6.4 miliardë lekë në janar 2011 në 6.2 miliardë lekë në janar 2012. Nisur nga këto të dhëna, duket se sektori i ndërtimit po përjeton një krizë të thellë pas fillimit të rënies nga viti 2008, ndërsa bizneset kanë ndalur investimet për zgjerimin e kapaciteteve apo modernizimin.
