Fullani: Qeveria, kujdes borxhin dhe të ardhurat
Guvernatori i Bankës Qendrore, Adrian Fullani i ka kërkuar qeverisë të mbajë nën kontroll financat publike, të cilat sipas tij janë jetike për ekonominë e vendit. Këto deklarata, Fullani i ka bërë gjatë një konference për shtyp në Hotel “Tirana International”, ditën e djeshme, pas vendimeve të marra të Këshillit Mbikëqyrës, në lidhje me politikën monetare. “Shpenzimet buxhetore në tremujorin e parë të vitit janë rritur me 16,8 %, të mbështetura pjesërisht edhe nga rritja me 12,5 mld lekë të deficitit buxhetor, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, informacioni i muajit prill tregon një rritje më të ngadaltë të të ardhurave buxhetore në këtë periudhë, duke theksuar nevojën e marrjes së masave për respektimin e nivelit të planifikuar të deficitit buxhetor. Të dhënat e ekonomisë reale sugjerojnë një rritje të ngadaltë të konsumit, në vijim të pasigurive mbi situatën e ardhshme të punësimit. Mbajtja në kontroll e financave publike është jetike, kjo lidhet edhe me një problem që po përjeton vendi, me rritjen e importeve dhe uljen e eksporteve. Projektimi i këtyre tendencave në të ardhmen mund të shoqërohet me zgjerim të deficitit tregtar dhe BSH është mjaft e vëmendshme ndaj këtyre zhvillimeve, pasi ndikojnë në ekuilibrat e jashtëm të ekonomisë së vendit dhe kryesisht në tregun valutor” - u shpreh Fullani gjatë konferencës së shtypit. Por, nga ana tjetër, sipas tij, ecuria më pozitive e kredisë për bizneset dhe rritja e importeve të mallrave kapitalë sugjeron se investimet kanë qenë më pozitive, duke forcuar premisat për një rritje ekonomike më të qëndrueshme në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, Fullani tha se, rritja afatgjatë e investimeve do të kushtëzohet nga aftësia e ekonomisë shqiptare për të tërhequr kapitalin e huaj. Në këtë kontekst, sipas tij, institucionet përgjegjëse, në nivel makro dhe mikroekonomik, duhet të forcojnë më tej punën për reformat strukturore, të cilat zhvillojnë më tej avantazhet krahasuese të ekonomisë shqiptare dhe të rrisin konkurueshmërinë e ekonomisë sonë në tregjet e produkteve, të punës e të kapitalit. Duke iu referuar raportit mujor të politikës monetare, ekonomia shqiptare vijon të ruajë një prirje pozitive zhvillimi dhe gjallërimi i kërkesës së brendshme gjatë katër muajve të parë të vitit, si dhe kontributi pozitiv i kërkesës së huaj, kanë ndikuar në rritjen pozitive të ekonomisë shqiptare. Raporti citon se inflacioni në muajin prill 2011 arriti në 4.1%, duke zbritur gradualisht drejt objektivit të Bankës së Shqipërisë. “Ecuria e inflacionit pasqyron rritjen e lartë të çmimeve të produkteve ushqimore, çmimet e rritura të disa mallrave të akcizës dhe në një masë më të vogël, inflacionin e çmimeve të administruara. Oferta më e lartë e mallrave bujqësore, ashtu si edhe në muajin mars, dha një kontribut pozitiv në reduktimin e normës vjetore të inflacionit. Në krahasim me muajin e kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit ra me 0.6 %, duke shënuar vlerën më të ulët të inflacionit mujor të muajve prill në dhjetëvjeçarin e fundit”, - raportoi Fullani. Sipas tij, kategoritë “Ushqime të përpunuara” dhe “Mallra konsumi jo-ushqimorë”, ku përfshihen edhe nafta e barnat, kanë dhënë kontributin kryesor në inflacion. Në këtë moment, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare duhet të gjejë hapësira për të përballuar goditjet e ofertës së jashtme apo luhatjet e çmimeve në tregjet botërore, nëpërmjet nxitjes së prodhimit të brendshëm në disa sektorë kyç. Gjithashtu, sipas raportit mujor të politikës monetare, inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në muajin prill rezultoi 4.9%, duke shpjeguar rreth 73% të shifrës së inflacionit total. Niveli i lartë i inflacionit të këtij sektori të shportës së indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK), ka vijuar të ndikohet nga nivelet e larta të çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore, nga parashikimet jo optimiste për to në terma afatmesme, si dhe nga efektet e ardhura nga kursi i nënçmuar i këmbimit.
Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 %.