E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave, shpërblim policëve që mbrojtën KQZ

Tiranë Këshilli i Ministrave shpërblen të gjithë punonjësit e policisë, që u angazhuan në ruajtjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë ditëve të protestës së Partisë Socialiste. Me propozim të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, qeveria ka miratuar dje një shtesë në vendimin për shpërblimin e policëve për protestën e 21 janarit, ku përfshihen edhe shërbimet e tejzgjatura rreth Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 32 mijë lekë të rinj për çdo efektiv policor është masa e shpërblimit, e përcaktuar në vendimin e posaçëm në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Policët do të përfitojnë jo vetëm shpërblimin në vlerën e mësipërme, por dhe orët shtesë të shërbimit në ruajtje të KQZ gjatë rinumërimit të votave të qarkut të Tiranës dhe gjatë protestave të opozitës. Qeveria parashikon që efekti financiar për shpërblimin e punonjësve të policisë të përballohet nga buxheti i këtij viti. Përveç punonjësve të Policisë së Shtetit, shpërblim do të përfitojnë edhe punonjësit e Gardës së Republikës apo ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që janë angazhuar në shërbime të tejzgjatura përgjatë këtyre ditëve. Gjatë situatës së tensionuar, të krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u angazhuan rreth 1 mijë punonjës të policisë dhe Forcave Speciale, të cilët garantuan rendin gjatë protestave të opozitës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›