Fullani përshëndet blerjen e hotel Dajtit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, foli dje publikisht për herë të parë për blerjen e shumëdebatuar të hotel “Dajtit” nga institucioni që ai drejton, duke e lavdëruar qeverinë dhe pa shpjeguar burimin e parave që do të përdoren për blerjen.
“Kam ndjekur me vëmendje të gjithë debatin e ditëve të fundit në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave ‘Për shitjen e pronës shtetërore, ish–hotel Dajti’. Dua të deklaroj që në fillim se në cilësinë e drejtuesit të një institucioni shtetëror me rëndësi kushtetuese, ndjehem thellësisht i kënaqur që u bë e mundur që Bankës së Shqipërisë t’i ofrohet një mundësi e tillë, për të blerë një nga godinat më të vlerësuara të kryeqytetit, vendosur buzë shëtitores ‘Dëshmorët e Kombit’”, deklaroi Fullani, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
“Dua të theksoj se vendimi i Këshillit të Ministrave ‘Për shitjen e pronës shtetërore ish-hotel Dajti’ shënon fillimin e materializimit të një projekti të ideuar shumë vite më parë nga Banka e Shqipërisë. Motivimi ynë për blerjen e këtij objekti bazohet në ligjin organik, kuadrin ligjor dhe atë rregullativ përkatës për përmbushjen e mirëfunksionimit administrativ të institucionit, përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të punës së punonjësve dhe përafrimin e këtyre kushteve me standardet europiane. Ndërkohë, përfitoj nga ky rast që ta garantoj publikun e gjerë shqiptar se të gjitha procedurat që ka ndjekur dhe që do të ndjekë Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, që nga momenti i publikimit të vendimit të Këshillit të Ministrave e deri në përfundimin e plotë të shitjes së këtij objekti, do të vazhdojnë të jenë plotësisht transparente dhe të bazuara në ligjin ‘Mbi Bankën e Shqipërisë’, kuadrin ligjor dhe atë rregullativ përkatës”, vijoi më tej Fullani, duke e mbyllur konferencën për shtyp si rrallëherë me vetëm një pyetje, pa pranuar pyetje të tjera.
Qeveria shqiptare deklaroi para pak ditësh në formë surprize se ka vendosur t’i shesë Bankës së Shqipërisë ish-hotel “Dajtin”, një ndërtesë historike në qendër të Tiranës, përkundrejt shumës prej 30 milionë eurosh që do të paguhen nga BSH për qeverinë. Deputeti i opozitës, Erjon Braçe, e akuzoi një ditë më vonë guvernatorin Fullani si të lidhur politikisht me Kryeministrin Berisha. Braçe deklaroi se transaksioni është “një operacion i pastër, që nuk justifikon blerjen e këtij objekti nga ana e Bankës së Shqipërisë, por që dëshmon qartësisht dhënien e parave nga Banka e Shqipërisë për arkat bosh të qeverisë së Sali Berishës”. Fullani nuk i komentoi dje akuzat e opozitës.
Një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë tregoi në konfidencialitet për “Shqip” disa ditë pas vendimit të qeverisë, se lajmin për blerjen e hotel “Dajtit” e ka mësuar nga media. “Në asnjë mbledhje të Këshillit Mbikëqyrës nuk është diskutuar një blerje e tillë”, tha ai.
Pyetja më e madhe qëndron në faktin se me çfarë parash BSH do ta paguajë hotel “Dajtin”. BSH realizon fitime vjetore prej 5 miliardë lekësh (rreth 35 milionë euro), të cilat i transferohen Ministrisë së Financave. Në rast se BSH do t’i përdorë fitimet për të paguar pronën e blerë, transaksioni nuk ka kuptim financiar, sepse në fund, te Ministria e Financave do të mbërrijë e njëjta shumë parash. Ekspertët besojnë se në rast se këtë vit BSH transferon përveç fitimeve të zakonshme edhe një shumë shtesë prej 30 milionë eurosh, atëherë ligji i Bankës së Shqipërisë, i cili ndalon financimet e drejtpërdrejta të qeverisë, mund të jetë shkelur.
#