Ekspertët e BE-së hartojnë piketat e draftit për transparencën

Asnjë entuziazëm nuk ka dalë nga takimet e gjata të ekspertëve të Bashkimit Europian me liderët e mazhorancës dhe opozitës, përkatësisht: Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës, Edi Rama. Por realisht, rruga nuk është ndërprerë nga pengesa të pakalueshme, megjithëse mësohet se ende ka vështirësi rrugësh. Një burim diplomatik i tha “Shqip” se nuk jemi në fazën e deklarimit të dështimit, por ende pengesa më e madhe është në përkufizimin e transparencën. Opozita e konsideron hetim të zgjedhjeve të 28 qershorit, ndërsa mazhoranca insiston në konceptin se komisioni hetimor duhet që të përgatisë ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke përdorur materialet zgjedhore për të nxjerrë problemet që mund të kenë ndodhur. Ndërkohë që fjalëkryqi më i madh konsiston me fatin e fletëve të votimit. Sot në mesditë delegacioni i BE-së do të niset për në Bruksel me një projekt-draft me dy alternativa, i cili do të përpunohet e më pas do t’u jepet palëve në takimin që pritet të zhvillojnë Berisha dhe Rama pas një jave. Dita e djeshme e takimeve të dërgatës së Brukselit ka qenë tepër e ngjeshur dhe është zhvilluar totalisht hermetike duke mos sjellë asnjë rrjedhje informacioni, pasi si protagonistë kanë pasur diplomatët e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata: krerët e politikës shqiptare, Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Në mesnatë janë mbledhur së bashku teknicienët e Partisë Demokratike dhe ata të Partisë Socialiste, së bashku me delegacionin e BE-së në selinë e Komisionit Europian në Tiranë. Takimi ka vazhduar deri në orët e vona dhe pritet që diçka të bëhet e ditur gjatë ditës së sotme.
AmbasadorëtDelegacioni i ekspertëve të Bashkimit Europian që drejtohet nga zv/shefja e kabinetit të Komisionerit për Zgjerimin, Jana Katarina Loliç Shindelkova, një zyrtar i Drejtorisë së Zgjerimit, dy përfaqësues të grupeve të Partive Popullore dhe Socialiste dhe një përfaqësues i Këshillit Europian, kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit në orën 15.00 të ditës së djeshme. Ata janë pritur nga Kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Destinacioni i parë, kulla pranë televizionit publik shqiptar, ku ndodhen zyrat e delegacionit të BE-së. Në orën 17.00 është zhvilluar një takim me të gjithë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri, ku ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Withers. Ka rënë në sy gjatë takimit të djeshëm mungesa e përfaqësuesit të Presidencës së BE-së, përkatësisht ambasadorit të Spanjës, Manuel Montobio. Burimet diplomatike bënë të ditur se diplomati i Madridit ka qenë i impenjuar në takime të rëndësishme në vendin e tij, të cilat edhe mund të kenë lidhje me krizën shqiptare.
BerishaNë orën 19.00, furgoni i bardhë që mbante në “barkun” e tij dërgatën e Brukselit ka lënë selinë e delegacionit të BE-së dhe është parkuar në selinë e qeverisë shqiptare ku janë ngjitur menjëherë në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha. Përveç delegacionit të Brukselit në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori Lohan. Nuk ka kaluar as gjysmë ore nga takimi dhe një “Tuareg” i zi ka kaluar portën e Kryeministrisë, për të cilin u përfol se ishte kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, informacion që nuk ka marrë një konfirmim zyrtar. Takimi me Berishën ka zgjatur gati dy orë, siç dhe ishte parashikuar. Ka përfunduar në 20.50 dhe delegacionin e ka përcjellë poshtë vetë Kryeministri Berisha.
RamaSapo ka lënë Kryeministrinë, furgoni me ekspertët është kthyer majtas duke marrë rrugën jo te selia e Partisë Socialiste, por te Bashkia e Tiranës. Në hyrje, delegacioni është pritur nga një prej bashkëpunëtorëve të kryebashkiakut, Edi Rama. Takimi ka nisur në orën 21.00. Sërish asgjë se çfarë po bisedohet, megjithëse diçka rrjedh dhe informacionet flasin se po elaborohet një rrugë që të bashkojë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hartimin e rekomandimeve për Kodin e ri Elektoral, bashkë me formimin e një KQZ-je krejtësisht me format të ri. Por të gjitha këto janë versione që do të diskutohen edhe sot, deri në mesditë, kur delegacioni flitet se do të japë një konferencë për shtyp. Në orën 15.00 ata do të nisen sërish për në Bruksel me avionin e kompanisë ajrore hungareze “Malev”. Në orën 22.30 ekspertët kanë lënë selinë e Bashkisë së Tiranës, duke mos dhënë asnjë prononcim, duke u ndihmuar edhe nga ambasadori Lohan që ka shmangur kamerat dhe gazetarët.
#