Fullani u shpjegon nxënësve “misteret” e Bankës së Shqipërisë
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Adrian Fullani, zhvilloi dje një takim me nxënës dhe mësues të shkollave të mesme të rrethit të Vlorës. Takimi u zhvillua në mjediset e shkollës së mesme të përgjithshme “Ali Demi”. Takimi në shkollën “Ali Demi” u mendua nga organizuesit si një mundësi e mirë për të komunikuar drejtpërdrejt me brezin e ri dhe mësuesit e tyre, dy nga grupet me të cilat Banka e Shqipërisë dhe Guvernatori i saj kanë shumë kontakte e bashkëpunime, si edhe për të bërë publike se tashmë aktivitetet edukuese të programit “Banka Qendrore në jetën e përditshme”, do të zhvillohen jo vetëm në qytetin e Tiranës, por edhe në atë të Vlorës. U mendua që puna e programit të nisë me organizimin e seminareve trajnuese për mësuesit e ekonomisë së zbatuar të shkollave të mesme të rrethit të Vlorës gjatë verës së këtij viti, për të vazhduar me organizimin e konkursit “Vlera e vërtetë e parasë”, gjatë vitit shkollor 2008-2009. Nisja e programit edukues pikërisht me këto dy aktivitete nuk është e rastësishme. Ashtu siç u tha edhe nga z. Fullani, gjatë takimit në shkollën “Ali Demi” në Vlorë, Banka e Shqipërisë do ta nisë zbatimin e programit të saj edukues me mësuesit dhe nxënësit e shkollave të mesme pasi “...financat, sikurse çdo gjë tjetër duhen mësuar! Duhen mësuar shpejt dhe mësimet duhet të jenë ato të duhurat! E sigurisht që vendi më i mirë për të mësuar është, shkolla”. Gjatë fjalës së tij z. Fullani ndër të tjerash u foli të pranishmëve për rëndësinë e krijimit të një kulture të mirëfilltë ekonomiko-financiare në mirëqenien e gjithsecilit, por edhe në mbarëvajtjen e ekonomisë shqiptare, në përgjithësi. Ambiciet e Bankës së Shqipërisë në fushën e edukimit ishin një tjetër temë e prekur nga z. Fullani. Ai u shpreh se edukimi është një çështje që u takon të gjithëve dhe se Banka e Shqipërisë synon ta shndërrojë informacionin dhe literaturën që lidhet me këtë fushë, në lehtësisht të kuptueshme për të gjithë. Ai gjithashtu, i njohu ata me mënyrat se si Banka e Shqipërisë mundohet të përçojë mendësinë, punën dhe edukimin ekonomiko-financiar tek publiku i ri, në mënyrë argëtuese.