E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fund i çmendur në Angli, Siti kampion mes dramës

ANGLI - Nëse nuk u ka rënë të gjithëve infarkt, mungoi vetëm pak. Në fund u duk se tifozët dolën të gjithë gjallë pas një ndeshjeje spektakolare mes Mançester Sitit dhe QPR-së, që kurorëzoi kampione të Anglisë "Citizens". Skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini ka fituar 3-2 në ndeshjen e fundit, falë një kryevepre të Serxhio Agueros, dhëndrit të Maradonës, në minutën e katërt shtesë. Në këtë mënyrë, Siti është kampioni i ri i Anglisë, falë golavarazhit më të mirë (+8) nga Mançester Junajtid, që dje nuk gaboi, por fitoi 1-0 ndaj Sandërlendit. Është hera e parë që një titull vendoset falë golavarazhit, por padyshim që është mbyllja më e bukur që është parë ndonjëherë. Luis Armstrong ishte në majë të Hit-Parade me "Ëhat a ëonderful life", laburisti Harol Uilson ishte kryeministër i Britanisë dhe Mançester Siti fitonte titullin kampion. Ishte 13 maji i vitit 1968 kur ndodhte kjo. Janë dashur 44 vjet që Siti të fitonte sërish. Gjërat kanë ndryshuar, por është një trajner italian, Roberto Mançini, ai që riktheu te trofeu skuadrën e "qytetarëve", që tani nuk janë më "kushërinjtë e varfër të Junajtid", por më të pasurit e qytetit, falë 1 miliard stërlinave të shpenzuara nga sheikët arabë dhe kampionët e Anglisë, kampionati - për këtë askush s'duhet të ketë dyshime - më i bukur në botë.
Dje dukej sikur luheshin dy ndeshje në një. Nëpërmjet radios e internetit, tifozët e Sitit dhe të Junajtid kanë ndjekur dy ndeshje njëkohësisht. Madje, tre, duke qenë se loja e QPR-së varej edhe nga ajo që ndodhte në ndeshjen Stouk-Bolton. Në fillim Stouk shënon në portën e Boltonit, ç'ka do të thotë se londinezët e Queens Park Rangers janë të shpëtuar. Në minutën e 20-të, Runi kalon Junajtid në avantazh dhe në këto momente "Djajtë e Kuq" janë kampionët e Anglisë. Avantazhi i Runit shkakton frikë në "Etihad", ku Siti hidhet i gjithi në sulm. Por, Mançini humb në fillim Jaja Ture, që zëvendësohet. Në minutën e 39-të, Zabaleta gjen avantazhin, falë edhe një gabimi të porterit të QPR-së, të cilit i shpëton topi nga duart. Por, Boltoni barazon dhe kalon në avantazh ndaj Stouk Sitit. Në pjesën e dytë, QPR-së i duhet të ndryshojë taktikë dhe të sulmojë, ndryshe është e rënë. Rasti i parë gjithsesi i takon Sitit me Agueron, që gjuan nga jashtë zone. Pas vetëm 3 minutash, QPR barazon, falë një gabimi të mbrojtjes së Sitit. Leskot gabon dhe Cise nuk fal, duke mposhtur portierin Xho Hart. Në stadium ka një heshtje varri, por gjakrat nxehen në minutën e 55-të. Xhoi Barton, një lojtar me precedentë penalë, godet Karlos Tevez pa kokë, duke shkaktuar një sherr gjigand. Barton nuk i kursen një shkelm as Agueros, për një gjest që mediat e huaja e kanë komentuar si "poshtërsi prej një burracaku". Me një njeri më shumë, Siti shton sulmet dhe Aguero për pak realizon në minutën e 63-të, por portieri ka shpëtuar në vijën fatale. Në minutën e 66-të, Traore merr një inkursion nga e majta dhe topi i futur prej tij në zonë, dërgohet në rrjetë nga Maki, që ka bërë kështu realitet "budallallëkun" që uronte Aleks Ferguson para ndeshjes. Në stadium kanë nisur lotët e tifozëve, që nuk e besojnë atë çfarë ndodh në fushë. Mançini ndërkohë ndryshon, duke futur në fillim Xhekon për Berrin dhe Balotelin për Tevez. Në Sandërlend ndërkohë, Junajtid dominon, duke goditur disa herë shtyllën dhe duke qenë shumë pranë disa golave. Siti e zhvendos gjithë lojën në zonë, por goli nuk duket, për shkak edhe të nervozizmit të lojtarëve të Mançinit. Në minutën e fundit, Baloteli godet me kokë nga 2 metra, por sërish pret portieri. Në minutën e dytë shtesë, pas një goditje këndi, Edin Xheko barazon shifrat me kokë, por titulli është ende i Junajtid.
Mbaroi? Aspak. Minuta e 94-t sjell aksionin e Agueros. Argjentinasi shmang dy lojtarë, pason në hyrje të zonës për Balotelin që ia kthen, më pas shmang edhe një tjetër dhe e dërgon topin në rrjetë. Një fund prej infarkti në "Etihad", i gjithë stadiumi zbret në fushë për një moment, që mungonte prej 44 vitesh. Për herë të dytë, pas Ançelotit te Çelsi, një trajner italian fiton Premier Ligën. "Fundi më i bukur i sezonit në historinë e kampionatit anglez", ishte komenti i BBC. Nëse do ta kishte shkruar një skenarist thriller, nuk mund të bënte asgjë më të bukur. Të gjithë kanë dalë gjallë nga stadiumi, por mungoi vetëm pak...
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›