E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i Gedafit kryengritesit festojne ne Libi

Regjimi 42- vjeçar i kolonel Muamar Gedafit në Libi jeton orët e fundit, ndërsa kryengritja është ndezur në zemër të Tripolit, në afërsi të bunkerit ku ai ka drejtuar luftimet përgjatë gjashtë muajve të fundit. Të dhënat nga Tripoli flasin për luftime të ashpra në qendër të kryeqytetit, pasi gjatë natës, kryengritësit kanë marrë nën zotërim pjesën më të madhe të qytetit.

Libianët, ndryshe nga sa pretendonte regjimi deri në ditën e fundit, nuk i janë bashkuar besnikëve të Gedafit për rezistencë, përkundrazi kanë pritur me festime të mëdha kryengritësit. Drejtuesit e Kryengritjes thonë se garda personale e pushtetmbajtësit Muammar al-Gedafi është shpërbërë, ndërsa kanali televiziv arab Al Xhazira transmetoi pamje, ku shihen njerëz në rrugët e Tripolit duke përshendetur fitoren e kryengritësve. Ende nuk dihet vendndodhja e dikaktorit Gedafi. Ai disa herë u ka bërë thirrje ithtarëve të tij që të luftojnë për mbrojtjen e Tripolit.

Kryengritësit kanë ndeshur në një rezistencë të pakët, ndërsa kanë mësyrë Tripolin në tre drejtime, lindja, jugu dhe perëndimi. Një zëdhënës i tyre thotë se forcat pro regjimit kontrollojnë ende 15-20% të Tripolit.

Kryengritësit kanë arrestuar djalin e Gedafit, Saif al-Islam, por nuk ka të dhëna për vendndodhjen e vetë kolonelit. Gjykata Ndërkombëtare për Krime tha se ka marrë konfirmimin për arrestimin e tij. Së bashku me babain e tij, Seif al-Islam akuzohet nga drejtësia ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit. Disa burime të pakonfirmuara thonë se vetë Gedafi ndodhet në ambasadën e Venezuelës, por pasi bunkeri i Bab Al Azizias ende nuk është marrë nën kontroll, koloneli fare mirë mund të ndodhet edhe aty.

Ministri libian i Informacionit, Moussa Ibrahim i tha CNN-it se qeveria ka ende mbështetjen e 65 mijë forcave ushtarake, sidoqoftë konfirmohet se disa batalione janë dorëzuar.  Sipas tij, luftimet në qytet që nga mesnata e së dielës, kanë shkaktuar mbi 1300 të vdekur dhe mbi 5 mijë të plagosur.
Azhornuar së fundi ( e hënë , 22 gusht 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›