Fundi i kontrolleve pa paralajmërim? Rama paralajmëron ndryshime pas takimit me Delina Ibrahimajn dhe Dashnor Sulën

Një tjetër qasje pritet të aplikohet në marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku flet për mënyrën se si duhet të zhvillohen kontrollet ndaj bizneseve, duke vendosur në qendër paralajmërimin paraprak, këshillimin dhe kufizimin e gjobave.
Rama e quan këtë qasje “testi i besës” dhe rendit disa ndryshime që pritet të zbatohen në sistemin e inspektimeve.
“Kontrollet e inspektimeve duhet të kalojnë testin e besës. E para nuk duhet të ketë më asnjë kontroll pa paralajmërim.”-tha Kryeministri.
Sipas Ramës, inspektori nuk duhet të paraqitet papritur në një biznes për një kontroll rutinë. Qëllimi, sipas tij, duhet të jetë njoftimi dhe orientimi i subjektit për të korrigjuar shkeljet dhe për të përmbushur kërkesat ligjore.
“Inspektori nuk vjen te dera e biznesit si në një skenë krimi, por si shteti që njofton, të mbikëqyr dhe të ndihmon të korrigjohesh.”-u shpreh ai.
Një tjetër ndryshim lidhet me gjobat. Rama kërkon që ato të përdoren si masë e fundit dhe jo si reagimi i parë ndaj një biznesi.
“E dyta, gjoba mbi një biznes është arma e fundit, jo e para.”-tha Rama.
Në këtë kuadër, bizneset që përballen me kontrolle rutinë pa paralajmërim nga inspektoratet ftohen ta raportojnë rastin te Inspektori i Përgjithshëm.
“Kujt i vjen një inspektim pa paralajmërim për një kontroll rutinë nga cilido inspektoriat, duhet ta denoncojë menjëherë te Inspektori i Përgjithshëm. Kjo nuk është ankesë, kjo është e drejtë.”-nënvizoi ai.
Në fund, Rama paralajmëron edhe një ndryshim për vetë inspektorët. Sipas tij, së shpejti çdo inspektor që kryen kontrolle ndaj tatimpaguesve do të jetë i pajisur me uniformë dhe kamerë inteligjente trupi.
“Së shpejti çdo inspektor që troket në emër të shtetit te dera e një tatimpaguesi të kësaj Republike do të jetë i pajisur me kamerën inteligjente të trupit dhe i veshur me uniformë.”-u shpreh ai.
Kamera synon të krijojë më shumë transparencë gjatë kontrolleve, ndërsa Inspektori i Përgjithshëm do të ketë mundësi të monitorojë punën e inspektorëve.
“Që ta dish kush është, kë përfaqëson dhe që ai vetë ta dijë se në çdo minutë të punës së tij është i mbikëqyrur nga Inspektoriati i Përgjithshëm.”-tha Kryeministri.
Rama e mbyll mesazhin me objektivin që marrëdhënia mes shtetit dhe sipërmarrjes të jetë e bazuar te respektimi i ligjit dhe transparenca.
“Shteti që hyn në derën e njerëzve duhet t’i bëjë ata krenarë për taksat që ata i paguajnë këtij shteti.”-shtoi ai.