Muçollari: Dhuna në shesh, skenar i Ramës për të mbyllur protestën

Anëtari i Kryesisë në PD, Grigels Muçollari akuzon kryeministrin Rama se qëndron pas ndërhyrjes së policisë në protestën para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për mbylljen e protestës. Ai denoncon shoqërimin e 16 protestuesve dhe u bën thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën.
Reagimi i plotë:
Dhuna në shesh, Edi Rama synon mbylljen e protestës
Pas 95 ditëve protestë para Kryeministrisë, mbrëmë policia vendosi të ndërhyjë në mënyrë të njëanshme, duke cenuar paqen që kjo lëvizje e ka në themelin e vet. Cenimi i paqes, sigurisht, nuk erdhi nga një polic që e kanë lënë nervat, por me urdhër të qartë kryeministror. Cenimi i paqes mbrëmë ishte një shpallje lufte.
Ai që e solli këtë gjendje të re mes qytetarëve dhe qeverisë ishte vetëm dy kate më lart. Padyshim se dhuna dhe përshkallëzimi i saj janë një skenar i qartë i Edi Ramës për ta goditur protestën me mjete policore dhe ushtarake, me synim mbylljen e saj.
Të gjitha lëvizjet që ka bërë deri tani, me shantazhe e damkosje, me infiltrime e krijim incidentesh, nuk kanë pasur sukses. Edhe shpresa që kishte se me vapën e gushtin ajo do të binte, e la.
Marshimi po bën 100 ditë dhe qytetarët janë të palëkundur në kërkesën e tyre për dorëheqjen e Kryeministrit. Në këto kushte, Edi Rama po tenton të zbatojë skenarin për ndalimin e protestës, pra për ndalimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve.
Në një njoftim zyrtar, policia e quajti mbrëmë “grumbullim të paligjshëm”. Ky ishte hapi i parë i hedhur në planin djallëzor të Edi Ramës. Ndërkohë që për të rritur trysninë nuk kanë munguar aktet e dhunës dhe represionit me forca speciale, mjete ushtarake dhe heqje të lirisë, duke shoqëruar në komisariat 16 persona.
Të gjitha këto tregojnë, në fakt, se sa e drejtë është protesta dhe sa legjitime ajo është. Me akte të tilla, Edi Rama thjesht konfirmon legjitimitetin e kauzës së njerëzve në shesh.
Ajo që ndodhi mbrëmë është një nxitje dhe një thirrje më shumë për qytetarët që të bashkohen në shesh, të solidarizohen me këtë qëndresë, të ngrenë edhe më shumë zërin për të drejtat e tyre.