Fundi i një epoke

Paul Scholes ndien se po përfundon një epokë në Manchester United. Mesfushori anglez, së bashku me mbrojtësin Gary Neville, i vendosën ‘këpucët në gozhdë’ së fundmi, duke i dhënë fund karrierës së tyre në Old Trafford.
David Beckham, Phil Neville e Nicky Butt ka kohë që janë larguar, që do të thotë se vetëm Ryan Giggs ka mbetur në ekipin legjendar të Sir Alex Fergusonit. Scholes, i cili do t’i bashkohet stafit të trajnerëve tek Unitedi, e sfidoi gjeneratën e re, teksa Man Utd humbi nga Barcelona, në finale të Ligës së Kampionëve, në Wembley të Londrës.
“Definitivisht po merr fund një epokë. Phil Neville e Nicky Butt u larguan kohë më parë, kurse Gary Neville e la këtë vit. Beckham shkoi vite më parë, kështu që po vjen fundi. Asgjë në botë nuk mund të zgjatë përjetë. Por, aty është ende Ryan Giggs, por edhe lojtarë të tjerë anglezë që luajnë në klub”, deklaroi 36-vjeçari për tabloidin britanik, The Sun.
Megjithatë, ai ndihet krenar që e la futbollin pikërisht në periudhën kur ‘Djajtë e Kuq’ e kaluan Liverpoolin sa u përket titujve të fituar në Premierligë.
“Është ndjenjë e mirë që të shkosh pasi i arritëm 19 tituj. Mirëpo, mendoj se do të ishte më mirë që të shkoja duke e fituar edhe një herë Ligën e Kampionëve. Por, kur luan ndaj Barçës, aty mund ta shohësh nivelin të cilin duhet ta arrish për të qenë më i miri në Evropë”, përfundoi ish-përfaqësuesi anglez.
Paul Scholes ishte pjesë e Manchester Unitedit që nga viti 1994. Ai ishte njëri prej mesfushorëve më të mirë në histori të klubit. Fansat e Man Utd nuk do ta harrojnë kurrë 36-vjeçarin, i cili tërë karrierën e kaloi te klubi nga Old Traffordi.