E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj tek Flamurtari

Është e vështirë që një kolos të lëvizë nga vendi. Daniel Xhafaj, shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar do të qëndrojë tek Flamurtari i Vlorës edhe sezonin e ardhshëm, pasi sulmuesi ra dakord me presidentin e klubit, kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika. Një nyje e zgjidhur dhe një shqetësim i madh që kthehet në lehtësim dhe gëzim për tifozët e zjarrtë kuqezinj.

Xhafaj në ekipin e Maganit do të thotë ambicie të deklaruara vlonjate për titullin kampion, titull që vjet u humb në garën ndaj Skënderbeut, ndërsa vlonjatët e përjetuan me zemërim dhe tension një garë të tillë. Por Xhafaj në ekip do të thotë edhe më shumë seriozitet në Ligën e Europës ku Flamurtari merr pjesë dhe do të luajë në mesin e muajit të ardhshëm.

Me 18 golat e shënuar, sulmuesi paraqet majën e “shpatës” së Flamurtarit, ndërsa vetë futbollisti pohon se ka qenë jo vetëm gatishmëria e Gjikës, por edhe dëshira e familjes së tij që ai të vazhdonte karrierën në Vlorë. Jo më kot, e gjithë familja e tij është vlonjate.

Xhafaj besohet se u kërkua nga Skënderbeu, për momentin i vetmi klub tjetër në Shqipëri që mund t’i lejojë vetes shpenzime të tilla sa për të mbajtur një lojtar të tillë, ndërsa besohet se Tirana e kërkoi të paktën për ndeshjen në Ligën e Europës. Tashmë, gjithçka është mbyllur ashtu siç ishte më parë, me ngjyrat kuq e zi dhe me premtimin se veterani 35-vjeçar do të synojë të shënojë mbi 20 gola sezonin e ardhshëm të Superligës.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›