E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i tenderëve njëburimorë

Qeveria e Kosovës duket se i ka marrë seriozisht kritikat në fushën e prokurimit publik, që dalin nga raporti i fundit i progresit. Pas udhëzimit me të cilin obligoi ministrat që t’i nënshkruajnë tenderët e rëndë mbi 10 mijë euro, ekzekutivi shumë shpejt pritet të marrë edhe një vendim tjetër – atë për ndalimin e dhënies së tenderëve njëburimorë.

Burime të Expressit brenda Qeverisë kanë pohuar se sikur vendimi i mëhershëm që tenderët t’i nënshkruajnë edhe ministrat, edhe vendimi për ndalimin e tenderëve njëburimorë do të jetë në vazhdën e reformave në fushën e prokurimit publik.

“Me këtë vendim tenderët do t’i fitojnë kompanitë kualitative dhe që ofrojnë çmimet me të lira”, tha ky burim. Ai ka shtuar se deri në nxjerrjen e Ligjit të ri të prokurimit, këto ndryshime do të kontribuojnë që raporti i ardhshëm i progresit të jetë më i mirë, pasi edhe fusha e prokurimit publik ishte më e kritikuara nga ndërkombëtarët.

Nga ana tjetër, me Ligjin aktual të prokurimit publik, dhënia e kontratave njëburimore parashihet si njëra nga procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës. Kjo nënkupton që autoriteti kontraktues për lëndë të kontratës apo produktet që dëshiron t’i blejë, ta gjej vetë kompaninë dhe të negociojë me të.

Ndërkohë që kjo formë ka rezultuar të jetë jo shumë efikase, pasi dyshimet për korrupsion janë kryesisht te tenderët njëburimorë.

Zëdhënësi i Qeverisë se Kosovës, Memli Krasniqi, nuk e ka mohuar e as pohuar se një vendim i tillë mund të merret së shpejti nga Qeveria. Ai ka thënë se nuk mund t’i konfirmojë një për një vendimet, porse, sipas tij, Qeveria është duke ndërmarrë një reformë të thellë në fushën e prokurimit publik.

“Ndryshime në fushën e prokurimit publik ka me pasë në vazhdimësi, duke përfshirë këtu edhe amandamentimin e Ligjit për prokurimin publik”, tha Krasniqi.

Këto ndryshime, thonë qeveritarët, kanë për qëllim rregullimin më të mirë të procedurave të prokurimit. Po ashtu, Krasniqi thotë se mundëson një transparencë më të madhe.

Ndryshe, raporti i fundit i progresit ka kritikuar Qeverinë se nuk qëndron mirë në fushën e prokurimit publik dhe i kërkohet asaj të bëhen reforma.
Hapi i parë në këtë drejtim është udhëzimi administrativ me të cilin Qeveria obligoi që për tenderët më të rëndë se 10 mijë euro të nënshkruajnë edhe ministrat. Gjithashtu udhëzimi është pjesë e rëndësishme e reformës në prokurimin publik që del edhe nga raporti i progresit, por edhe masë dhe preventivë direkte në luftën antikorrupsion.

Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pati thënë se udhëzimi administrativ dhe ndryshimet në prokurim janë në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës dhe në pajtim me rregulloren e punës së Qeverisë së Kosovës.

Ndërkaq, nënshkrimi i kontratave publike do të bëhet sipas këtij udhëzimi, derisa të nxirret Ligji i ri i prokurimit publik.

Sipas Thaçit, ky udhëzim ka për qëllim të rregullojë procedurën e nënshkrimit të kontratave me vlerë të mesme dhe të madhe me qëllim të sigurimit që burimet publike të përdoren në mënyrë ekonomike, efikase dhe transparente.

“Kontratat me vlerë mbi 10 mijë euro do të nënshkruhen edhe nga sekretarët permanentë dhe ministrat përkatës të ministrive që udhëheqin”, pati thënë Thaçi.

Sipas kreut të ekzekutivit, ky propozim është në harmoni të plotë me standardet e Komisionit Evropian. Ky vendim vlen për të gjitha nivelet, si ministritë, agjencitë publike dhe nivelin lokal.

Ndryshe, të gjitha këto ndryshime në prokurim po ndodhin ende pa u ndryshuar Ligji ekzistues i prokurimit publik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›