E Shtunë, 31 Tetor 2026

Walker viziton Reçakun

Një ditë para se të mbushte 75 vjet, ish shefi i misionit verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker dhe familja e tij, vizituan Kompleksin Përkujtimor në Reçak, ku tha se çdoherë që vjen në këtë fshat sheh dallime esenciale, sheh buzëqeshjen në fytyrat e fëmijëve dhe kjo tregon që e ardhmja është përpara.

Familja Walker ka shprehur dëshirën që një ditë para datëlindjes së ambasadorit, që është më 1 qershor, ta vizitojë Reçakun për të parë nga afër atë që kishte ndodhur në këtë fshat, më 15 janar të vitit 1999, kur forcat paramilitare serbe masakruan 45 civilë shqiptarë.

Pas pelegrinazhit te varrezat e martirëve, ish ambasadori Walker u prit nga kënga e fëmijëve për urimin e 75 vjetorit të lindjes.
Me këtë rast Walker theksoi se po viziton Reçakun me familje, pasi që dëshiro t’i tregojë atyre se çfarë lidhje personale ka me këtë fshatë.

“Sa herë që vijë, unë ballafaqohem me një goditje shpirtërore, duke krahasuar çka ishte ky vend 11 vjet më parë dhe çka ka arritur dhe ajo çka më bënë një gjurmë të pa shlyshme, është fakti se këtu shohë fëmijë të buzëqeshur, fëmijë që mungonin 11 vite më parë dhe definitivisht fotografia e këtyre fëmijëve na tregon që e ardhmja është para jush dhe që ata janë të lumtur”, ka thënë Walker.

Ai kujtoi ditët e 16 janarit të vitit 1999, kur në këtë fshatë janë masakruar më shumë se 40 burra, pleq e fëmijë, duke thënë se ajo që ndodhi është e pa imagjinueshme dhe se nuk mund të shprehë atë që ndjenë.

“Hera e parë kur erdha në Reçak më 16 janar 1999 ishte ditë tmerri. Që nga ajo ditë kur ju varrosët baballarët, nënat, vëllezërit dhe fëmijët tuaj kam ardhur në Reçak shumë herë dhe sa herë të vij shohë dallime esenciale, shoh ndryshime shumë të mëdha dhe buzëqeshjen në fytyrat e juaja”, ka thënë Walker.

Ndërsa, kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli duke iu uruar ditëlindjen ish ambasadorit Walker, ka thënë se sa herë që fshati dhe komuna e Shtimes vizitohet nga Walker, qytetarët kanë emocione të përziera, pasi që ai me guximin dhe moralin e tij tregoi se ky është një krim dhe se ndryshoi qasjen ndërkombëtare ndaj Kosovës.

“Ju zoti Walker do të jeni qytetar i Reçakut dhe do të jeni të respektuar jo vetëm nga Reçaku, por edhe nga Komuna e Shtimes dhe gjithë Kosova, sepse guximi dhe vepra e juaj janë ato që nuk do të harrohen brez pas brezi”, ka thënë Ismaili.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Reçak, Agim Kamberi ia uroi ditëlindjen ish ambasadorit Walker, duke thënë se ashtu siç lanë trashëgimi lirinë dëshmorët dhe martirët, qytetarët e kësaj komune janë të nderuar kur shohin se të bërat e ish ambasadorit Walker kanë ndihmuar që Kosova të jetë e lirë.

“Kjo dëshmon se lufta dhe fjala e drejtë për liri janë kultivim dhe vlerë e familjes dhe shtetit. Ne u kemi borxh dëshmorëve dhe martirëve përkujtimin, ndërsa, edhe juve gjithmonë t’ju nderojmë, që u bashkëngjitët kundër shpifjes dhe okupimit dhe në betejën për të drejtën”, ka thënë ai.

Familja Walker ka vizituar edhe muzeun në qytetin e Shtimes, ku nga afër kanë ri parë dëshmi për masakrën në Reçaku dhe ka bërë përshtypjet e tij.

Ceremonia organizimit të pritjes së ambasadorit Walker me familje është bërë nën patronazhin e Komunës së Shtimes, respektivisht kryetarit të komunës, Naim Ismajli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›