E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çfarë ndodhi të premten, detajet e masakrës së Durrësit

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për autorët e masakrës së Durrësit, ku mbetën të vrarë në krye të detyrës 4 punonjës policie. Vrasje në rrethana cilësuese për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, vrasje e katërfishtë me paramendim dhe falsifikim dokumentesh janë akuzat e formuluara nga prokuroria, pas të cilës, Gjykata pritet të thotë fjalën e saj, duke vendosur për caktimin e masës së sigurisë.
Ndërkaq, hetimet vijojnë intensivisht, ndonëse nuk është bërë e ditur asgjë nga dëshmitë e të ndaluarve për masakrën e ndodhur.
Të dhënat e deritanishme flasin edhe për të tjerë persona të implikuar në ngjarje, pasi dyshohet se ka të tjerë persona që e kanë ndihmuar Dritan Dajtin në lëvizje gjatë kohës që ai ka qëndruar në Shqipëri.
Ndërkaq dy të arrestuarit, Dajti dhe Erges Xhaxhi ndodhen në qelitë e paraburgimit të 313-ës në Tiranë.


**************************
Itinerari i Dajtit ditën e masakrës

TIRANË - Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet në bashkëpunim me institucionin e akuzës në Durrës, ka zbardhur paraprakisht itinerarin e lëvizjeve së Dritan Dajtit gjatë ditës së premte dhe ka rindërtuar skenën e krimit ku mbetën të vrarë katër agjentët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.


Sipas burimeve të rezervuara pranë institucionit të akuzës, mësohet se agjentët e vëzhgimit janë vënë në ndjekje dhe gjurmim të Dajtit, që prej ditës së hënë.


Gjithçka ka nisur pas një informacioni të siguruar në rrugë operative se i shumë kërkuari Dajti po lëvizte shpesh nga Tirana në Durrës me kunatin e tij Ergest Xhixho (i njohur edhe me emrin Elvis Xhaxhi) dhe me shtetasin Ledion Mara.


Pas këtij informacioni, agjentët janë vënë në kërkim të Dajtit. Të premten kanë pikasur makinën me të cilën po lëvizte e tipit "Volkswagen Tuareg" me ngjyrë të errët me xhame të errëta mbrapa që mbante targat e huaja "CR 535 FR".


Kjo makinë e drejtuar nga Xhixho që shoqërohej nga Mara, sipas hetimeve paraprake, fillimisht është pikasur paradite në afërsi të Shkollës së Mesme "Sami Frashëri" në kryeqytet.


Nga një rrugicë aty pranë ka dalë i shumë kërkuari Dajti duke hipur në sediljen e pasme në makinë. Që aty, makina ka përshkuar rrugën "Fortuzi" pranë Ministrisë së Drejtësisë duke dalë në rrugën e "Durrësit" dhe është nisur në drejtim të bregdetit.


Për një arsye ende të pazbuluar Dajti ka kuptuar që po ndiqej. Ndoshta për të provokuar itinerarin e ndjekësve ai ka kërkuar nga dy "ushtarët" e tij të rinj të bënin një devijim itinerari dhe të ecnin drejt qytezës së Rrogozhinës. Pasi kanë mbërritur në qendër kanë bërë një rrotullim. Më pas janë kthyer për në zonën e plazhit të Durrësit.

Kanë mbërritur shumë pranë pistës "Iliria". Gjatë gjithë kësaj kohe, gjashtë agjentët me dy makina, një "Ford Fokus" dhe tjetri "Benz" i kanë ndjekur në distancë lëvizjet e tyre. Makina e tipit "Tuareg" ka mbërritur pranë pallatit gjashtë katësh, ku Dajti kishte blerë banesën. Shoferi Xhixho nuk ka gjetur parking duke u detyruar të bëjë një rrotullim në atë zonë.


Më pas, makina ka lëvizur shumë pranë hyrjes së shkallëve të banesës ku Dajti kishte blerë shtëpinë. Në atë moment, mësohet se Dajti i ka kërkuar dy të rinjve të zbresin nga makina pasi priste për ta takuar një burrë rreth të 40 - ve ende i pa identifikuar nga policia.


Pikërisht ky ka qenë momenti kur agjentët i janë afruar me makinë në krahë dhe agjenti drejtues Fatos Xhani me maskë në kokë i është afruar dritares së djathtë nga mbrapa në sediljen e pasme duke ia drejtuar pistoletën dhe duke i kërkuar Dajtit të zbriste nga makina.


Bashkë me Xhanin por nga dritarja e anës së majtë nga mbrapa makinës, të sediljes së pasme ka dalë kryeinspektori Altin Dizdari, ndërsa kryeinspektori Kastriot Feskaj dhe kryeinspektori Saimir Duçkollari qëndruan prapa tyre bashkë me dy agjentë të tjerë.


Dajti sapo ka parë agjentët që po bërtisnin "policia, zbrit nga makina" ka drejtuar grykën e pistoletës nga mbrapa xhamit të errët të makinës duke qëlluar në kokë drejtuesin Xhani dhe më pas kryeinspektor Dizdarin.


Dy kryeinspektorët e tjerë Duçkollari e Feskaj po merreshin me arrestimin e Xhaxhës e Marës. Janë përballur nga plumbat e këtij të fundit, por, janë vrarë nga dora e Dajtit, i cili sapo kishte zbritur nga makina.


Ndërkohë, mbetet për tu verifikuar pas akt-ekspertimit balistik të armëve dhe plumbave si dhe raportit mjeko ligjor të vrasjes së Ledion Marës, që mendohet se mund të jetë qëlluar edhe ky (pa dashje) nga vetë Dajti.


Pas vrasjes së katër agjentëve dhe 23- vjeçarit Mara, Dajti është nisur për të ikur nga rruga e plazhit. Në ikje e sipër ka qëlluar në këmbë edhe një adoleshent i cili kishte hapur derën e banesës për të parë çfarë po ndodhte.


Dy agjentët e tjerë që ishin bashkë me katër të vrarët kanë filluar të qëllojnë në drejtim të Dajtit që largohej. Një prej tyre ka arritur ta godasë me dy plumba, një poshtë shpatullës që i ka prekur mushkërinë dhe një në këmbë që e ka rrëzuar barkas. Agjentët i janë hedhur më pas sipër dhe i kanë vendosur prangat, duke i larguar nga duart pistoletën.


Kjo e fundit e tipit "Glock" kishte mbetur bosh. Në dorën tjetër mbante një çantë ku kishte një portofol, një karikator me 12 fishekë dhe 10 aparate telefonikë. Ndaj Dajtit tashmë rëndon akuza e "vrasjes në rrethana cilësuese" ndaj dy apo më shumë persona; "vrasjes me dashje" dhe "armëmbajtje pa leje".


Dajti i "vetëemëruar" n\komisar policie me emrin Agron Zeneli

TIRANË- Dritan Dajti i shpallur në kërkim këtu e gjashtë vite më parë, prej kohësh lëvizte rrugëve të Shqipërisë me identitet të rremë. Sipas burimeve nga prokuroria, në çantën e dorës që mbante gjithë kohës i arrestuari Dajti policia ka gjetur dhe sekuestruar karta identiteti të policisë.


Ato kishin fotografinë e të shumë kërkuarit të bërë me uniformë policie nën emrin: "Agron Zeneli", me detyrë "nënkomisar i Komisariatit të Policisë në Korçë".


Sipas këtyre burimeve, përveç tre kartave të identitetit me uniformë policie dhe me numrat seri të saj Dajtit i është sekuestruar edhe një patentë shoferi e shtetit italian me po këtë emër dhe me foton e tij.


Këto kanë qenë dokumentet me të cilat i shumëkërkuari i shpëtonte kontrolleve në rast se e ndalonin për ndonjë shkelje të rastit apo në ndonjë postbllok rutinë të policisë.


Nuk dihet sa herë i shumë kërkuari ka shpëtuar nga policia për shkak të këtyre dokumenteve të identifikimit që i mbante kudo që shkonte me vetë.


Sipas burimeve nga akuza, mësohet se në fotot e kartave të identitetit të policisë i shumëkërkuari kishte dalë madje me një pamje serioze dhe pak të egër, duke u përshtatur kështu edhe me ashpërsinë e gradës së "fituar" në polici.


Ndërsa, në foton që ndodhej në patentën italiane, i shumëkërkuari është fotografuar serioz por me një mjekër të vogël me model në fytyrë.


Policia ka sekuestruar brenda makinës edhe një fenelinë policie që e mbante në kroskot dhe dy radio-lidhje të policisë që ishin të vendosura në frekuencat e efektivëve të Durrësit. Mësohet se frekuencat e radio-lidhjeve i shumë kërkuari i ndërronte duke u bazuar në qytetin që ndodhej.


Përveç këtyre, policia ka sekuestruar në çantën e dorës së Dajtit plot 10 aparate telefonike celularë me numra Shqipërie dhe vendeve fqinje, të cilat po këqyren dhe verifikohen numrat, mesazhet dhe thirrjet e kryera nga këto numra telefoni brenda dhe jashtë vendit.


Ndërkaq, në portofol ka patur rreth 4 mijë e 500 euro dhe disa dhjetëra mijëra lekë shqiptare. Konfirmohet nga burimet e akuzës se ditën e ngjarjes në qytetin e Durrësit ka qenë duke bërë plazh edhe bashkëshortja e të shumë kërkuarit, e cila po priste ardhjen e bashkëshortit në qytetin bregdetar, ku kishin blerë banesën.


Dajti përdorte ilaçe për diabet dhe kolit

Në çantën që Dajti mbante në dorë në momentin e plagosjes dhe arrestimit, janë gjetur gjithashtu edhe medikamente mjekësore.


Pas verifikimeve është konstatuar se bëhej fjalë për dy tip ilaçesh. Të parat ishin për kurimin e diabetit dhe të dytat për sëmundjen e kolitit, zorrës së trashë. Ilaçet mendohet se i përdorte vetë i shumëkërkuari Dritan Dajti.


Banesa e Dajtit në plazh, një shtesë pa leje, e lidhur me tarracën e dy pallateve

TIRANË- Edhe pse ishte ndër personat më të kërkuar nga policia shqiptare, ai ka mundur të blejë një hyrje në zonën e plazhit të Durrësit që rezulton madje si "shtesë pa leje" mbi katin e gjashtë të pallatit.


Sipas burimeve nga policia, mësohet se pallati gjashtë katesh që ndodhej në afërsi të pistës "Iliria" është ndërtuar nga një biznesmen lokal, i cili ia kishte shitur katin e fundit të shumëkërkuarit Dajti.


Shtesa pa leje mbi katet e lejuara, është ndërtuar në një mënyrë të sofistikuar dhe të parapërgatitur për ndonjë ikje të mundshme nga banesa në rast se policia e pikaste vend strehimin.


Kjo banesë është zbuluar nga qeni i kufirit i cili ka nuhatur gjakun e mbetur në vendin e plagosjes së Dajtit, dhe ka ngjitur shkallët e pallatit duke i dërguar efektivët e policisë para një dere të blinduar në papafingon (nënçati) të pallatit 6 katesh.


Sipas prokurorisë, me të hyrë brenda është konstatuar se nga dritarja e dhomës së ngrënies dhe ndenjjes e gjithë rruga kontrollohej dhe kishte pamje të qartë. Ndërsa, në dhomën e gjumit i shumë kërkuari e kishte ngritur krevatin në nivel me dritaren, që në rast të kontrolli të policisë të dilte pa probleme nga dritarja në tarracë.


Tarraca kishte kalim për në tarracën e pallatit tjetër. Kalimi në tarracën e pallatit tjetër hapte rrugën për të zbritur shkallët e atij pallatit që përfundonin në zonën e plazhit, mes rrëmujës. Kjo banesë, mësohet se figuron e regjistruar në emër të kunatit të tij 22 vjeç, Ergest Xhaxhi , i cili merrej edhe me lëvizjet e Dajtit nëpër qytet.


Dy dëshmi të kundërta për sjelljen e Dajtit në spital

TIRANË - Ka dy versione për përballjen e Dajtit me mjekët e spitalit, kur është dërguar atje. Një nga versionet, bërë të ditura dje, nga një infermier, është që ai ka kërcënuar personelin duke i thënë se "do t'i vriste të gjithë në rast se nuk e mjekonin mirë".
Versioni i dytë është i kundërt me këtë.


Me dy plumba në trup dhe në gjendje jo të mirë shëndetësore, i shumë kërkuari Dritan Dajti sapo ka mbërritur në urgjencën e Spitalit të Durrësit, ka kërkuar të mos e mjekojnë. "Më lërni të vdes edhe unë, mos më mjekoni" - kanë qenë fjalët e tij, sipas një dëshmie të dytë në prokurori.


Dajti kishte dy plumba, një poshtë shpatullës që i ka prekur mushkërinë dhe një në këmbë. Gjatë gjithë kohës që nga momenti i arrestimit, transportimit për në Spital dhe brenda dhomës së urgjencës ku mori ndihmën e parë, Dajti hidhte vështrime të inatosura mbi efektivët e policisë, por pa nxjerrë zë nga goja.

Xhixho e Mara, të vetmit miq të Dajtit 6 muajt e fundit. Mara, i arrestuar për drogë dhe i liruar në Lushnje

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, nga hetimet paraprake të mbledhjes së provave dhe të dhënave materiale për dy të rinjtë që shoqëronin të shumëkërkuarin Dritan Dajti, kunatin e tij Ergys Xhaxhi dhe Ledion Mara ka konstatuar se ata për këto gjashtë muajt e fundit ishin të vetmit të besuar të të shumëkërkuarit.


"Është provuar nga raportet e policisë, se dy të rinjtë Xhaxhi e Mara gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit shoqëroheshin rregullisht me të arrestuarin Dajti.


Kunati i tij Xhaxhi prej kohësh kryente të gjitha punët që kishte nëpër kryeqytet Dajti, ndërsa kohën e fundit konkretisht këto gjashtë muajt e fundit e kishte afruar në shoqëri edhe shokun e tij të fëmijërisë Mara"- thanë burimet.


Gjithashtu, u konfirmua se kunati i Dajtit, i riu Xhaxhi këtë vit ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë në një nga Universitetet private në vend.



Ledion Mara ka qenë skeduar edhe kohë më parë nga policia për akuzën e "prodhimit, shitjes dhe mbajtjes së lëndëve narkotike" në qytetin e Lushnjës.


Ka qenë data 8 prill 2008 kur efektivët e policisë së Komisariatit të Lushnjës e kanë vendosur në pranga të riun Ledion Mara për mbajtje të lëndëve narkotike.


Ledion Mara, 23 vjeç, është kapur pas një kontrolli rutinë nga agjentët, që e mbanin nën survejim prej kohësh sepse njihej si kontingjent.


Të vrarit i ishte gjetur marijuanë, për të cilën gjatë marrjes në pyetje në atë kohë ka pretenduar se e kishte për përdorim vetjak dhe nuk ishte shpërndarës. Nuk dihen ende shkaqet dhe arsyetimi i lirimit të tij nga organet e drejtësisë së Lushnjës.


Tuaregu, kishte ardhur nga Italia, dhe ishte porositur me xhama të zinj

Tuaregu me të cilin lëvizte Dajti është blerë muajt e fundit. Sipas burimeve nga prokuroria, makina e tipit "Volkswagen" me ngjyrë të errët dhe me xhama të errëta mbrapa që mbante targat e huaja "CR 535 FR" është blerë nga vetë i shumë kërkuari për kunatin e tij Ergest Xhaxhi, i cili kryente edhe rolin e shoferit për të kërkuarin.


Kjo makinë, sipas akuzës, është blerë me porosi nga vetë i shumëkërkuari që dëshironte një makinë me xhama të errëta të prodhuara nga fabrika dhe jo të vendosura vetë.


Kjo makinë ka ardhur nga Italia dhe po punohet për të verifikuar pronarin që e ka shitur.
Edhe pse Policia Rrugore kishte nxjerrë një rregullore ku ndalohej qarkullimi i makinave me xhama të errëta, i shumëkërkuari ka vazhduar qetësisht të qarkullojë e lëvizë nëpër rrugët e kryeqytetit..

Presidenti, kryeministri dhe kryeprokurorja kërkojnë informacion për rastin

TIRANË- Kanë qenë krerët më të lartë të shtetit shqiptar që përveç se e kanë dënuar vrasjen e katër agjentëve të policisë, kanë kërkuar një informacion të detajuar për ngjarjen nga policia dhe prokuroria përkatëse.


Mësohet se i pari që ka kërkuar informacion nga zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorë të së cilës kanë asistuar në hetimin që po kryenin në vend ngjarje dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Ardian Nezha e Eugen Beçi, ka qenë Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe vetë kryeprokurorja Ina Rama që ndodhej me pushime.


Gjithashtu, edhe kryeministri i vendit Sali Berisha, ka kërkuar një informacion të detajuar nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të analizuar përgjegjësit e këtij operacioni që solli vrasjen e katër agjentëve të policisë nga i shumëkërkuari Dritan Dajti.


Pyeten bashkëshortja, babai, vëllai dhe kunati i Dajtit

TIRANË- Pas arrestimit të Dritan Dajtit, prokuroria ka urdhëruar marrjen në pyetje të të afërmëve të të shumëkërkuarit që vrau katër agjentë të policisë dhe Ledion Marën.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se gjatë natës së premtes duke u gdhirë e shtuna prokuroria ka pyetur bashkëshorten e të arrestuarit që ndodhej në plazh në kohën e shkëmbimit të zjarrit, si dhe familjarët e afërm të të arrestuarit.


Nuk jepen shumë detaje për pyetjen e tyre, duke shtuar se të gjithë të pyeturit kanë shprehur keqardhje për ngjarjen e ndodhur.


Gjithashtu, është pyetur edhe i arrestuari Ergest Xhaxhi i cili nuk ka preferuar të japë shumë shpjegime, por ka kërkuar avokatin e tij të jetë i pranishëm në seancën e marrjes në pyetje.


Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë pyetur edhe shumë banorë dhe dëshmitarë të pranishëm në momentin e shkëmbimit të zjarrit.


"Janë marrë dëshmi të shumta të banorëve të lagjes, apartamentit ku banonte Dritan Dajti dhe vetë pjesëtarët e operacionit, për të shpjeguar gjithçka ndodhi dhe shkaqet e masakrës.


Oficerët kanë shpjeguar të gjitha lëvizjet e kryera nga kolegët e tyre në momentin final dhe si nisi shkëmbimi i zjarrit në rrugë"-thuhet nga burimet, duke shtuar se pritet mbarimi i akt-ekspertimeve balistike për të zbuluar detaje të tjera të kësaj ngjarjeje.


Është përfolur ndërkohë edhe emri i avokatit që do mbrojë Dajtin. Ai është Alban Bregasi, një avokat i ri, djali i Dilaver Bregasit.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›