E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundviti, Berisha: Shpërblim administratës dhe pensionistëve



Buxhetorët dhe pensionistët janë dy kategoritë përfituese të shpërblimit të festave të fundvitit. Fondi i shpërblimit do të miratohet sot në mbledhjen e qeverisë, ndërkohë që ministri Ridvan Bode ka bërë gati tarifën: 100 mijë lekë për buxhetorët dhe 25 mijë lekë për pensionistët. Tashmë e kthyer në një traditë, qeveria do të miratojë së afërmi paketën financiarë shtesë për sa i përket shpërblimit të fundvitit të administratës publike dhe 540 mijë pensionistëve. Një vendim i tillë merret nga qeveria me gjithë efektet që kriza financiare globale ka pasur në vend. Pavarësisht kësaj, qeveria do të shpërndajë shpërblimin për buxhetorët dhe pensionistët në prag të Vitit të Ri. Kryeministri Sali Berisha urdhëroi dje kreun e Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, që të krijojë një mundësi, pavarësisht krizës globale, për të shpërblyer me një shumë sado modeste, punonjësit e administratës publike dhe 540 mijë pensionistë. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me ministrin e Financave, Ridvan Bode, së bashku me përfaqësues të tjerë të kësaj ministrie dhe drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Kryeministri Berisha kërkoi që, pavarësisht nga ndikimet e krizës globale, të merren masat që punonjësve të administratës publike dhe 540 mijë pensionistëve të vendit të mund t’u jepet një shpërblim fundviti, sado modest të jetë. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe të Institutit të Sigurimeve Shoqërore e njohën Kryeministrin Berisha me vështirësitë e diktuara nga kriza për realizimin e shpërblimit të këtij viti, por nga ana tjetër, u mor përsipër të shqyrtohen të gjitha mundësitë për realizimin e porosisë së kreut të qeverisë. Shpërblimi i fundvitit tashmë është bërë i zakonshëm për qeverinë, e cila prej dy vitesh ka marrë përsipër faturën e shpërblimit të administratës me 100 mijë lekë (të vjetra), kurse për pensionistët 50 mijë lekë. Sipas Kryeministrit Sali Berisha, kjo është kartolina e qeverisë për të dy këto kategori, buxhetorët dhe pensionistët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›