Rama: 2010-ta viti i përballjes me krizën

Kryesocialisti, Edi Rama në fjalën e e tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së deklaroi se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të luftuar situatën e rëndë ekonomike dhe 2010-ta do jetë viti i përballjes së madhe me krizën. Sipas tij, kriza ekonomike po kanos shqiptarët. Kreu i PS-së u shpreh se programi i ekonomisë hartuar nga selia rozë është ai që i duhet shqiptarëve. Rama akuzoi kryeministrin Berisha se nuk dëgjoi paralajmërimin për krizën, por thelloi edhe më shumë borxhet qeveritare. "PS paralajmëroi krizën, por Berisha nuk dëgjoi fjalën tonë. 2009-ta po mbyllet me një rritje të ulët ekonomike ", theksoi Rama. Ai shtoi se zhvlerësimi i lekut do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm, ndërkohë që vihet re rënia sistematike e dërgesave të emigrantëve. Kreu i PS-së pohoi gjithashtu se mungon konkurenca e lirë e bizneseve. Duke folur për bujqësinë, Rama nënvizoi se fshati është braktisur plotësisht dhe toka është e paregjistruar. Kryesocialisti tha se shërbimi shëndetësor është shtrenjtuar. Sipas tij, kriza jonë nuk është e njëjtë me krizën globale.