E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE, Lohan sot i dorëzon Berishës pyetësorin e integrimit



Komisioni Evropian, përmes ambasadorit të saj në Tiranë, Helmuth Lohan, i dorëzon sot paradite Kryeministrit Sali Berisha pyetësorin që do të matë ecurinë e procesit të integrimit për në BE. Qeveria ka angazhuar 45 institucionet e vendit, për t’u dhënë përgjigje 4500 pyetjeve të KE-së. Qeveria shqiptare duhet të japë përgjigje konkrete për gjendjen e drejtësisë, sigurisë dhe ekonomisë në vend duke nisur nga momenti i tërheqjes së pyetësorit të Komisionit Evropian, kjo në vazhdën e aplikimit të statusit kandidat për në BE. Majlinda Bregu, ministre e Integrimit, bën të ditur: “Ne presim që një pjesë e madhe e pyetjeve, nisur edhe nga eksperiencat e tjera të jenë në kapitullin e drejtësisë dhe të sigurisë sikurse një numër i madh pyetjesh që do të kthehen në një punë reale, voluminoze dhe konkrete do të ketë pjesa ekonomike, pra e standardit ekonomik”.

Sipas Bregut, në procesin e plotësimit të pyetësorit marrin pjesë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin, ndërkohë që numri mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për pyetësorin. Aktualisht, janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur. Mbi bazën e një kalendari, tashmë të hartuar nga Ministria e Integrimit, janë grupet e punës, që do të punojnë me orar të zgjatur për të plotësuar dokumentin, mbi bazën e të cilit KE do të vendosë për Shqipërisë kandidate për në BE. Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori.

Ministrja Bregu: Përgjigjet, nga 411 nëpunës civilë

Faza fillestare e pyetësorit të KE-së është ajo e zbërthimit të pyetjeve, e ndjekur nga hartimi i përgjigjeve dhe analiza e tyre. Më pas, përgatitja e variantit final të përgjigjeve, përkthimi i centralizuar, miratimi i përgjigjeve dhe dorëzimi i përgjigjeve në Bruksel.

Administrata tashmë është gati për plotësimin e pyetësorit. Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin. Duhet theksuar se institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për pyetësorin. Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej. Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori. Qeveria do të koordinojë punën me BE-në dhe KE-në. Për koordinimin dhe monitorimin e procesit të përgjigjeve të pyetësorit, paralelisht me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë, është riorganizuar e gjithë Ministria e Integrimit. Janë ngritur grupet ndërinstitucionale të punës, grupet në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për koordinimin dhe hartimin e përgjigjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›