E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Fuqizimi ekonomik i të rinjve, deputetë të Kuvendit vizitë në Britani të Madhe

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Anëtarë të Klubit Parlamentar për të Rinjtë, të kryesuar nga kryetarja Erisa Xhixho, zhvilluan ditët e fundit një vizitë të nivelit të lartë në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e WFD Shqipëri.

Vizita u organizua në kuadër të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një Parlamenti më reagues”, zbatuar nga WFD Shqipëri dhe i mbështetur nga Ambasada britanike në Tiranë.

Gjatë vizitës anëtarët e Klubit Parlamentar për të Rinjtë dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, diskutuan për çështje që lidhen me të rinjtë, duke u fokusuar në politikat dhe legjislacionin për punësimin e të rinjve, arsimin dhe fuqizimin ekonomik.

Deputetët britanikë ndanë praktikat e tyre më të mira lidhur me pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitetet parlamentare, si debatet dhe organizimin e Javës së Parlamentit në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë vizitës së tyre anëtarët e Klubit zhvilluan një sërë takimesh me rëndësi, ku Xhixho pati mundësinë për të informuar mbi iniciativat e ndërmarra të Klubit sikurse janë dëgjesat me Parlamentin Rinor Shqiptar, me studentët e mjekësisë dhe hartimin e amendamenteve për Ligjin e Rinisë.

Në këtë vizitë ishin të pranishëm: Martin Vickers (Konservator), Stephen Gethins (Partia Kombëtare Skoceze) dhe deputetë anëtarë të Grupit Britanik – Unioni Ndërparlamentar, përfaqësues të Klubit Parlamentar për të Rinjtë ishin Erisa Xhixho, kryetare e Klubit dhe anëtarët Andia Ulliri, Sorina Koti, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Lavdrim Krrashi, Eduard Ndreca, Saimir Hasalla dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj.

1 nga 5

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›