Rama takim me Misionin e Shqipërisë në NATO: Privilegj kur shikon këtu potencialin e të rinjve të apasionuar

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në selinë e NATO-s në Bruksel, me ekipin ushtarak dhe civil të Misionit të Shqipërisë, si edhe me shqiptaret e shqiptarët që punojnë në zyrat qendrore të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Rama theksoi se “dua të falënderoj sinqerisht dhe jo diplomatikisht ambasadorin, që nuk ma kishte rrokur imagjinata një grup të tillë kaq domethënës edhe në numër, po të kemi parasysh madhësinë e vendit tonë, me vajza, djem, gra e burra këtu në qendrën e NATO-s ku kontribuojnë qoftë për misionin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe për stafin ndërkombëtar të NATO-s si pjesë e tij”.
“Kjo, pa dyshim është një arsye krenarie e vendit tonë përmes një gjenerate që sot është jo vetëm protagoniste në Shqipëri ku ka shkëlqyer në të gjithë procesin jashtëzakonisht kompleks për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE, por edhe jashtë Shqipërisë, ku një sërë prej jush shkëlqeni pa dyshim si pjesë e stafit ndërkombëtar të NATO-s ku jeni zgjedhur pa asnjë kushëri, s’besoj se keni nxjerrë ndonjë kushëri në Finlandë ose në Holandë, pa asnjë parti, se këtu e vetmja parti që u bashkon që të gjithë këto kombe, shtete, shoqëri është partia e vlerave të demokracisë të lirisë dhe të një sigurie që garanton këto vlera”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “patjetër që më vjen jashtëzakonisht mirë që në këtë panoramë shoh ushtarakët tanë që, siç do të thuhej njëherë e një kohë, këtu duken si të jashtëm, dhe për hir të vërtetës të shikuarit nga brenda të realitetit të kësaj trupe njerëzish që janë në aktivitet të përditshëm qoftë në marrëdhënie me BE-në dhe NATO-n është një privilegj, sepse shikon jo vetëm potencialin, por edhe shfrytëzimin real në jetën e përditshme të këtij potenciali”.
1 nga 22/k.s/r.e/a.f/