Apeli liron nga sekuestroja vilën në pronësi të nënës së Monika Kryemadhit

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur sot që të lirojë nga masa e sekuestros, vilën në pronësi të Fatime Kryemadhit, mamasë së Monika Kryemadhit, duke rrëzuar masën e dhënë nga Gjykata e Posaçme.
Vila tjetër e sekuestruar, në pronësi të Monika Kryemadhi që ndodhet te Kodra e Diellit në kryeqytet, sipas Apelit do të vijojë të qëndrojë nën sekuestro.
Shpallja e vendimit u dëgjua në sallën e gjyqit nga vetë deputetja Kryemadhi, e cila në dalje tha se kjo ishte një hakmarrje ndaj saj për shkak të inceneratorit të Tiranës dhe, nga ana tjetër, këmbënguli se pasuritë e saj ishin të justifikuara me burime të ligjshme.
Bllokimi i pasurive të zonjës Kryemadhi apo dhe familjarëve të saj u kërkua nga SPAK për llogari të hetimit të nisur ndaj saj dhe ish-presidentit Ilir Meta, të cilët akuzohen për tri vepra penale: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e mosdeklarim të pasurisë.
/r.e/a.f/