Furnizimi me ujë dhe energjia, rritje dyshifrore e shitjeve në tremujorin e dytë

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Të dhënat e INSTAT tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit rritja e aktivitetit ekonomik u shoqërua me zgjerim të shitjeve, prodhimit, punësimit dhe fondit të pagave në shumicën e aktiviteteve të prodhuesve të të mirave.
Energjia elektrike dhe aktivitetet e furnizimit me ujë, trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve shënuan rritjen më të lartë të shitjeve ndër prodhuesit e të mirave në tremujorin e dytë të vitit 2026.
Sipas treguesve tremujorë të INSTAT, shitjet neto në volum në furnizimin me ujë, trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve u rritën me 25,8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Prodhimi në volum u rrit me 12,8%, ndërsa punësimi me 4,9%.
Në aktivitetin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit, shitjet neto u rritën me 24,2%, ndërsa prodhimi në volum u zgjerua me 20,6%. Numri i të punësuarve u rrit me 3,2%, ndërsa fondi i pagave me 12,1%.
Ndërtimi vijoi me rritje të shitjeve dhe prodhimit. Indeksi i shitjeve neto në volum u rrit me 5,6%, prodhimi me 4,2% dhe numri i të punësuarve me 5,2%. Ndërkohë, fondi i pagave në sektor shënoi rritje prej 24,8%.
Industria regjistroi një ecuri më të moderuar, me rritje 2,2% të shitjeve neto në volum dhe 2,6% të prodhimit. Numri i të punësuarve ra me 2%, ndërsa fondi i pagave u rrit me 9,7%.

/e.xh/j.p/r.e/