E Diel, 1 Nëntor 2026

AZHBR rikthen në shqyrtim 223 aplikime të përjashtuara nga Skema 2026

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ Gjithsej 223 aplikime të përjashtuara më herët nga Skema Kombëtare e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2026 do të rikthehen në procesin e shqyrtimit administrativ.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se pas rikontrollit të dokumentacionit është vendosur shfuqizimi i listave të aplikantëve që ishin përjashtuar për tre vjet, pasi procedura e hartimit të këtyre listave nuk ishte në përputhje me rregullat e përcaktuara.

Rikthimi në proces prek pesë masa të Skemës Kombëtare. Numrin më të madh e kanë aplikimet për Masën 8, që lidhet me pagesën për sipërfaqet e mbjella, me 87 aplikantë. Kjo masë parashikon mbështetje deri në 10 mijë lekë për hektar, për sipërfaqe jo më pak se 3 hektarë.

Në Masën 1, për mbështetjen e gjedhit, janë përfshirë 62 aplikime, ndërsa 39 aplikime i përkasin Masës 2, për mbështetjen e tufave të të imtave. Lista përfshin gjithashtu 32 aplikime për Masën 3, për mbështetjen e bletarisë, dhe 3 aplikime për Masën 4, për dosat dhe paradosat.

Sipas AZHBR-së, aplikimet e përfshira në listat e shfuqizuara do t’i nënshtrohen sërish procedurës së shqyrtimit administrativ, ndërsa afatet për dorëzimin e dokumentacionit shtesë do të llogariten duke nisur nga 16 shtatori.

Vendimi u jep mundësi 223 aplikantëve të vijojnë procesin e vlerësimit në kuadër të Skemës Kombëtare 2026, sipas kritereve dhe procedurave përkatëse.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›