Furnizimi me ujë në Kukës, rënia e prurjeve dhe ndërhyrjet e paligjshme rëndojnë situatën

Në Kukës, furnizimi me ujë të pijshëm vijon të jetë një sfidë. Drejtori i Ujësjellësit, Sulejman Isufi, thotë se situata e vështirë është pasojë e mungesës së reshjeve dhe thatësirës së gjatë.
“Burimet tona janë të lidhura me reshjet dhe kemi dy muaj që nuk ka pasur reshje”, tha ai.
Aktualisht, punonjësit e ujësjellësit po përpiqen të menaxhojnë sasitë e pakta të ujit që mbërrijnë në depot kryesore.
“Po mundohemi me të gjithë stafin tonë ta menaxhojmë në mënyrën më rigoroze atë sasi uji që vjen në depo”, u shpreh Isufi.
Një rrjet i amortizuar dhe ndërhyrjet e paligjshme në tubacione e kanë rënduar edhe më shumë situatën.
“Kemi ngritur grupet e punës që të ndalojnë njerëzit të shpërdorojnë ujin e pijshëm për vaditje”, tha drejtori i Ujësjellësit.
Për këtë arsye, drejtori Isufi u bën thirrje qytetarëve të kursejnë ujin dhe të mos e shpërdorojnë. Por sfidat e ujësjellësit nuk ndalen vetëm te furnizimi.
Një tjetër problem është mos shlyerja e faturave, sidomos nga zonat rurale, ku pagesa shkon vetëm në 20 për qind. Aktualisht qyteti i Kukësit furnizohet me ujë 3 orë në harkun e 24 orëve.
Gazetare: M. Dokle
/rtsh.al/