E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj, 40 mijë euro për të kaluar Thunin

SHKRUAN: Jeton Selimi 14-07-2011 11:50

Në Shkodër mendojnë seriozisht se mund ta eliminojnë Thunin, skuadrën berneze që shorti e vuri përpara Vllaznisë në turin e dytë të Europa League. Natyrisht, një dorë për rritjen e entuziasmit e ka dhënë edhe presidenti Valter Fushaj, që edhe për këtë sfidë të dyfishtë ka premtuar një premio të majme për djemtë e tij. Plot 40 mijë euro për kalimin e turit, që duke shtuar edhe 20 mijë eurot e sfidës me Birkirkaranë, e çojnë shpërblimin për lojtarët kuqeblu në 60 mijë euro. Lajmin e konfirmon zëdhënësi për shtyp i skuadrës shkodrane, Gjergj Kola. “Është e vërtetë që presidenti Fushaj ka akorduar një premio prej 40 mijë eurosh në rast kualifikimi. Lojtarët janë shlyer në lidhje me 20 mijë eurot e para për kualifikimin ndaj Birkirkarasë dhe presidenti mendon se një dyfishim i shpërblimit do të dyfishojë edhe përpjekjet për kalimin e turit.”

Por si e përgatit Vllaznia ndeshjen? Trajneri Mirel Josa beson se zviceranët nuk duhen mbilvelrësuar, por sidoqoftë ai do të paraqesë në fushën e lojës të njëjtin formacion siç ka bërë edhe në dy sfidat me Birkirkaranë. “Do të varet nga mënyra e lojës dhe nga mënyra e vendosjes, por ne do të luajmë përsëri në sulm që problemet të mos na vijnë në mbrojtjen tonë, por problemet t’i kemi pak më lart që të kemi një mënyrë rikuperimi sa më të mire. Do t’u besoj të njëjtëve lojtarë pasi shpresoj që një rezultat i mirë në Shkodër mund të na sjellë kualifikimin në Zvicër,” pat deklaruar Mirel Josa një natë më parë. Thënë kështu, Vioresin Sinani do të qëndrojë në stol për t’u lënë sërish hapësira Sukajt e Vajushit, me shpejtësinë e të cilëve Josa shpreson të zërë mat kundërshtarin. Përsa i përket Thunit, zviceranët janë akomoduar në hotel “Europa” dhe e kanë kryer stërvitjen e tyre të fundit në orën 18:00, ndonëse shkelmimi i topit nga mesi i fushës do të bëhet 150 minuta më vonë. Aryseja? Mbase përshtatja me temperaturat e larta.

Publiku pret një ndeshje të madhe

Entuziasmi për sfidën e sotme ndërmjet Vllaznisë dhe Thunit ka bërë që Shkodra të ndizet sikundër bën çdo herë kur Vllaznia e saj i përgjigjet pritshmërisë së tifozëve. Pas eliminimit të Birkirkarasë, tifozëria shkodrane beson edhe më shumë te kalimi i turit të dytë. Ndonëse skuadra malteze dhe ajo zvicerane nuk mund të krahasohen me njëra-tjetrën, ultrasit e Vllaznisë janë të bindur se skuadra e tyre e zemrës do të arrijë të befasojë sërish.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›