E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë shkencore për 6-vjetorin e qytetit të gurtë në UNESCO

SHKRUAN: Bledar Shehu 14-07-2011 11:43

Në prag të 15 korrikut, datë e cila shënon edhe 6-vjetorin e përfshirjes së qytetit të Gjirokastrës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore, në qytetin e gurtë është zhvilluar një konferencë shkencore. Të pranishëm kanë qenë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Monumenteve të Kulturës, organizmave të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, intelektualë, banorë të qytetit etj. “Në këtë prag të 6-vjetorit të përfshirjes së Gjirokastrës në UNESCO, mendoj se qyteti i gurtë përveç arritjeve ka dhe problematika në drejtim të restaurimit dhe konservimit të trashëgimisë arkitektonike, ashtu si dhe sitet e tjera të trashëgimisë kulturore”, ka pohuar drejtori i Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Spartak Drasa. Drejtuesja e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, Ermira Çuberi, është shprehur se në të ardhmen duhet të zhvillohen më shumë aktivitete të tilla pasi trashëgimia kulturore e Gjirokastrës dhe në përgjithësi e vendit tonë po bëhet pjesë e vëmendjes së faktorëve të ndryshëm, madje kësaj trashëgimie së fundi i është shtuar edhe trashëgimia shpirtërore. Për drejtorin e Trashëgimisë Kulturore në MTKRS, Olsi Lafe, ky seminar synon sensibilizimin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në funksion të mbrojtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore. “Ky aktivitet ka disa etapa, një prej të cilave janë edhe disa prezantime të lektorëve të universitetit të Tiranës dhe trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës që kanë të bëjnë me eksperienca teorike dhe praktike për menaxhimin e vlerave universale. Ajo që është më e rëndësishme është bashkëbisedimi përsa u përket arritjeve dhe problemeve në Gjirokastër dhe sigurisht etapa e tretë është shumë praktike, një vizitë në terren pranë objekteve kryesore në Gjirokastër, atyre objekteve që mund të quhen të shpëtuara nga projektet restauruese, por edhe atyre objekteve që përfaqësojnë problematika që duhen “shëruar” në të ardhmen. Kjo vizitë ka si synim evidentimin nga afër edhe të ndërtimeve të paligjshme”, ka pohuar Lafe. Më 15 korrik 2005 në takimin e zhvilluar në Johanesburg, UNESCO do ta përfshinte qytetin e Gjirokastrës në listën e Trashëgimisë Kulturore Botërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›