E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushat, 4 miliardë lekë që rrezikohen

Bledar KUKA
Dy milionë e gjysmë franga nuk janë pak. Madje, dyfishi i tyre janë edhe më shumë. Plot 5 milionë franga zvicerane bëjnë 4 milionë dollarë amerikanë dhe kjo është shuma që është hedhur në 10 fusha të futbollit shqiptar, për t'i nxjerrë ato nga balta e për t'i bërë pjesë të familjes europiane. Nëse i hyn punës e i kthen shifrat në lekë shqiptare, dalin jo pak, por rreth 2 miliardë lekë (të vjetra) të hedhura nga UEFA dhe, afërsisht, po kaq nga bashkitë e qyteteve të ndryshme shqiptare. "Hattrick" është emri i programit që UEFA ka krijuar, në kohëzgjatje 4-vjecare, për të ndihmuar të gjitha federatat, por më kryesisht ato më të varfrat, që të rregullojnë sado pak hallet e tyre. Prej 3 vjetësh, paratë po "mbillen" nëpër terrenet në të gjithë Shqipërinë. Pasi ish-presidenti i Vllaznisë, Myftar Cela, rikonstruktoi fushën e stadiumit "Loro Borici" në Shkodër, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), nisi bashkëpunimin me UEFA-n për t'i ndërruar faqen fushave ku luhej kampionati shqiptar. Gjithcka nisi pas Kampionatit Europian të vitit 2004 në Portugali, ku UEFA ndau vec 460 milionë franga për t'i dhënë si ndihmë për të gjitha federatat e saj nëpër Euopë. Drejtori i stadiumit "Selman Stërmasi" në Tiranë, Hamdi Zhegu, thotë se kyci në jetëgjatësinë e fushave është mirëmbajtja e tyre. "Në një fushë të tillë me tapet bari, - shprehet ai, - normalisht mund të luhen deri 2 ndeshje në javë. Të themi, një ndeshje kampionati të shtunën, ose të dielën dhe një ndeshje kupe ditën e mërkurë. Më shumë se kaq e dëmtojnë fushën. Por ka të bëjë shumë edhe mirëmbajtja që duhet bërë nga punonjësit e stadiumit. Ndërsa, këtu te "Selman Stërmasi", na ka ndodhur që të kishim disa ndeshje në javë. Kur po rregullohej "Qemal Stafa", këtu luhej të premte e të dielë, mund të bënte ndonjë stërvitje Tirana, por vinte edhe Brigeli, kur ishte trajner i kombëtares dhe kishte stërvitje. Imagjinojeni vetë. Por problemi kryesor është mungesa e fushave të stërvitjes, sepse cdo klub ka si barrë edhe ekipet e të rinjve, të paratërinjve etj. Edhe ata duan të luajnë, ndërsa ne nuk kemi fusha as për ekipet e të rriturve". Zhegu tregon se punëtorët e tij dalin në fushë edhe pas pushimit të pjesës së parë të ndeshjes, por edhe pas mbylljes së krejt ndeshjes. "Problemi kryesor është te mirëmbajtja, - thotë Zhegu, - fusha do kujdes menjëherë pas ndeshjes, madje edhe në përfundim të pjesës së parë. Gjatë ndeshjes, tapeti dëmtohet nga takat e futbollistëve, shumë copa dalin nga vendi dhe detyra e punëtorëve të fushës është që t'i vendosin nëpër vende pa humbur kohë, sepse ndryshe fusha dëmtohet në mënyrë të pakthyeshme". UEFA e kishte parashikuar që më parë këtë gjë dhe, për këtë qëllim, organizoi në "Selman Stërmasi" një seminar për t'i dhënë përvojë punonjësve të stadiumeve në Shqipëri. Lektori i ardhur nga Greqia duket se e shpenzoi kohën më kot, sepse sipas burimeve në seminar, pati shumë pak vëmendje për leksionet e tij. "Një pjesë e madhe e punonjësve të ardhur nga qytete të ndryshëm të Shqipërisë, - thotë ky burim, - mezi prisnin sa të mbaronin leksionet, duke e pasur mendjen për të shkuar në kafe, apo në restorant". Një ish-punonjës me përvojë në FSHF, Adriatik Gjashta, thotë se pikërisht mirëmbajtja e fushave është "thembra e Akilit". "Unë jam shkëputur nga FSHF, - thotë ai, - dhe programi "hattrick" ka nisur pas largimit tim prej aty, por di se federata ka punuar mirë në këtë drejtim". Sipas tij, paratë janë hedhur dhe ato janë në rrezik pikërisht nga mungesa e kujdesit. "Thelbi i gjithckaje është sesa i rri punës te koka, - vazhdon sqarimin njeriun që ka drejtuar për disa vjet sektorin e jashtëm në FSHF, - kjo nuk vlen vetëm për fushat e futbollit, por në përgjithësi për cdo gjë këtu në vendin tonë. Varet sesa me merak janë njerëzit, sesi paguhen dhe vlerësohen. Por nëse nuk do të tregohet kujdesi i duhur, dëmtimi i fushave mund të arrijë në gjendje të pakthyeshme". Ndër klubet më të sulmuar është Besa e Kavajës, por kjo duket se e ka gjetur shpëtimin. Fusha e vjetër e futbollit është rregulluar në gjendje për të pritur stërvitjen e skuadrës së Starovës, pasi u përdor keqazi fusha e stadiumit dhe mbetën rrugëve për të kërkuar fusha të tjera për t'u stërvitur si në Qerret, Synej etj. Edhe Tirana, që I ka rënë jo pak në qafë "Selman Stërmasit", ka tashmë fushat e reja në kompleksin "Skënder Halili". Sidoqoftë, gjendja e shumë fushave nuk duket aspak e mirë. "Qemal Stafa", "Selman Stërmasi", stadiumi I Kavajës, ai I Durrësit e të tjerë janë në gjendje për të dhënë alarmin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›