Fushata- Rama në Bulqizë, apel për politikë të re
BULQIZE- Qyteti i Bulqizës, me ngjarjet që kanë ndodhur në katër vitet e fundit është simbol i politikës së vjetër. Kështu ka thënë kryesocialisti Edi rama gjatë një takimi në Bulqizë ku ka theksuar se pas 28 qershorit do të ndryshojnë kushtet e punës në minierat e Shqipërisë.
“Unë ua kërkoj votën, që siç kam hyrë thellë në minierë për të parë kushtet çnjerëzore në të cilat punojnë minatorët e Bulqizë, të vij përsëri dhe të hyj përsëri në minierë, por jo për t’i parë, por për t’i ndryshuar ato kushte, me qeverinë që do ta vendosim në dispozicionin tuaj” theksoi kreu socialist.
Ky qytet tha Rama nuk duhet të humbasë cdo muaj një jetë dhe kjo histori e dhimbshme duhet të marrë fund.
“Bulqiza është shembulli më kuptimplotë i kësaj politike të vjetër, të kthyer me kurriz nga njerëzit dhe këtu në Bulqizë krenaria dhe dinjiteti i çdo njeriu, i çdo burri dhe gruaje, i çdo prindi, pavarësisht bindjeve të tij, duhet të vihen në vend, me votën e 28 qershorit,ku e ardhmja duhet të ndahet nga e shkuara” tha Rama.
Kryesocialisti ka bërë apel për një politikë të re e cila do ti japë fund varfërisë dhe papunësisë dhe do të rikthejë jetesën me punë të ndershme.
“Ne shqiptarët mund të bëjmë në këtë atdhe, në të cilin zoti i ka falur gjithçka për të qenë i begatë, vendin e ëndrrave dhe shpresave tona, vendin ku fëmijët tanë mund të rriten të qetë dhe mund të mos vuajnë më kurrë urie, për libra, mësues dhe të mos vuajnë më kurrë për një të ardhme të cilën për 18 vjet me radhë ua ka mbyllur politika e vjetër e së shkuarës. Ja u kërkoj votën për secilin prej jush, sepse dua që Bulqizës ne t’i kthejmë shpresën, që Bulqizës ne t’i kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur 18 vjet me radhë” theksoi Rama.
(e.n/News24/BalkanWeb)