E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran: Të dy kandidatët kryesorë deklarojnë fitore në zgjedhje

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve thotë se Mahmud Ahmadinexhad ka fituar zgjedhjet presidenciale por edhe rivali i tij reformist deklaroi fitore.

Zyrtari më i lartë zgjedhor i vendit tha se zoti Ahmadinexhad ka marrë 69 përqind të votave në zgjedhjet e së premtes kundrejt 30 përqind që ka marrë rivali i tij,ish kryeministri Mir Hosein Musavi. Shifrat bazohen në numërimin e rreth 50 përqind të votave.

Edhe zoti Musavi deklaroi mbrëmë fitore gjatë një konference shtypi në Teheran. Ai nuk dha hollësi për të mbështetur deklaratën e tij. Zoti Musavi tha gjithashtu se në procesin e votimit pati probleme për shkak të mungesës së fletëvotimeve në disa zona.

Zgjedhjet e së premtes në Iran ishin një garë e ashpër mes zotit Ahmadinexhad, presidentit të tanishëm konservator, dhe zotit Musavi, kandidatit kryesor reformist.

Iranianët morën pjesë masive në zgjedhje dhe zyrtarët e shtynë mbylljen e qendrave të votimit për të lejuar një numër më të madhe njerëzish të merrnin pjesë.

Në orën 10 të mbrëmjes kur qendrat e votimit duhet të mbylleshin, kishte ende njerëz të shumtë që prisnin për të votuar. Zyrtarët thanë se çdo njeri që priste në radhë do të lejohej të votonte. Ata thanë se pjesmarrja në këto zgjedhje ishte e paparë ndonjëherë. //ii

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›