E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata dështoi

Nga Mero Baze

Fushata elektorale e zgjedhjeve të 8 Majit mbyllet sot me një bilanc dramatik. Ajo mbetet fushata më e dhunshme e historisë së Shqipërisë përveç vitit 1997, më e trukuara dhe me rregullat më të shantazhuara nga pushteti qysh prej zgjedhjeve të majit 1996.

Ndryshe nga dhuna e vitit 1997, dhuna e kësaj fushate ishte dhunë e porositur. Ajo nuk pasqyron realisht tensionin e shoqërisë shqiptare, por tensionin e disa vatrave të pushtetit, të rrezikuara nga ndëshkimi i votës popullore. Në shumicë protagonistët e dhunës ishin jeniçerë të partisë së Ilir Metës dhe segmente të inkriminuara të pushtetit të Berishës. Dhuna shpërtheu në Kamëz, ku kandidati i Berishës sillet si Mzat rrugëve të qytetit me panikun se mund të humbasë parajsën e Bashkisë që e ka kthyer në pronë private. Dhuna dominon në disa minibashki të Tiranës ku njerëz të Ilir Metës dhe Shpëtim Idrizit e shikojnë si jetike mbijetesën vetëm nëse kërcënojnë qytetarët dhe kundërshtarët. Dhuna po dominon çdo segment të pushtetit të Berishës ku ekziston frika nga zgjedhjet e lira, si në Korçë, Lezhë, dhe disa zona të tjera. Pra, ndryshe nga viti 1997 ku dhuna ishte fat i shoqërisë në anarki, kjo dhunë është ilustrim i makthit politik që ka Berisha dhe segmente të pushtetit nga zgjedhja. Kjo dhunë ka shqetësuar dukshëm vëzhguesit perëndimorë, përfshi dhe Komitetin e Helsinkit në Kongresin Amerikan. I ka shqetësuar pasi ajo nuk pasqyron thjesht kriminalitetin e rrugës, por inkriminimin e pushtetit dhe vendimin për ta ruajtur pushtetin me çdo kusht.

Kjo po ashtu ishte fushata më e trukuar e historisë së Shqipërisë. Kjo ishte një fushatë ku takticienët e fushatës vendosën rregulla që po ti marrësh sinqerisht si rregulla loje, politika shqiptare shpëton edhe pa pasur zgjedhje. Kompanitë amerikane që kurojnë fushatën e Berishës urdhëruan zhdukjen e Sali Berishës nga Tirana dhe fushata në tërësi si njeri me popullaritet të ulët që dëmton imazhin e partisë së tij. Ata sugjeruan po ashtu zhdukjen e Ilir Metës nga takimet publike dhe daljet televizive. Nga studimi real që ata i kanë bërë gjendjes elektorale para zgjedhjeve, u ka rezultuar se Berisha nuk duhet të shfaqet krah Metës pasi rëndohet shumë imazhi i pushtetit, dhe Basha nuk duhet të shfaqet krah Berishës pasi rëndohet shumë fati i tij nga kryeqytetasit. Duke qenë në një situatë nën zero para fushatës elektorale, pra duke qenë në një situatë ku liderët e koalicionit janë figura të urryera nga populli, PD dhe LSI që janë në koalicion, bën pakt që të trukojnë fushatën dhe për 30 ditë ata të bëjnë sikur nuk është pushteti i tyre. Për 30 ditë ne kemi parë të trukuar jo ata që na drejtojnë, jo ata që na vjedhin taksat dhe lekët e fundit në xhepa, jo babin e Shkëlzenit dhe Argitës, jo njeriun e bllokut, jo ministrin e vrasjeve në bulevard, por disa të tjerë të ndryshëm që nuk kanë punë me ta. Ky është trukimi më i rëndë me vetëdije që i bëhet profilit të koalicionit që na udhëheq, duke i fshehur udhëheqësit nga populli. Element tjetër i trukimit të fushatës ishte dhe përpjekja për të folur për paqen dhe për të bërë luftë. Qindra incidente, disa dhe tragjike, që mbushën fushatën shoqëroheshin vazhdimisht nga fjali pa kuptim për gjuhë paqësore dhe alternativash, ndërkohë që alternativa e vetme në rrugë ishte dhuna. Ulërimat e Berishës nëpër sheshet e Shqipërisë për paqe, ishin sa qesharake aq dhe domethënëse për të kuptuar pafuqinë për të trukuar portretin e tij të vrerosur.

Por kryeidentitetin e trukimit fushatës ja dha Lulëzim Basha. Në historinë e fushatave elektorale në Shqipëri, Lulëzim Basha do të mbahet mend si kandidati i vetëm që bëri betejë publike dhe ligjore kundër transparencës së fushatës elektorale. Ai nuk tregoi para qytetarëve as takimet reale me ta, as të shkuarën e tij, as milionat për të cilat është akuzuar, dhe as krimin që ka bërë më 21 janar. Ka pasur një letër të hapur të familjes Nika nga Lezha që i kërkon Ministrit të Brendshëm të mos tentojë të përdorë fushatën për të pastruar gjakun e djalit të tyre nga duart e tij, dhe ai ka heshtur. Ka pasur akuza për të shkuarën e tij thuajse kriminale në emigracion dhe ka heshtur. Ka pasur akuza penale ndaj tij dhe ai ende ska dhënë asnjë sqarim. Por mbi të gjitha ka pasur një akuzë që ai po trukon fushatën elektorale, dhe ai jo vetëm që nuk u tërhoq, por bëri betejë ligjore kundër lirisë së shtypit dhe të drejtës për informim të shqiptarëve. Vetëm një njeri që tmerrohet nga e vërteta mund të sillet ashtu në fushatë elektorale.

Kjo ishte po ashtu fushata më e shantazhuar nga pushteti prej zgjedhjeve të prishura të vitit 1996. Si në asnjë rast tjetër administrata shtetërore në këto zgjedhje ka pasur fatin e administratës shqiptare në kohën e pushtimit të Italisë ku gjithkush që punonte në punë shteti duhet të ishte anëtar i partisë fashiste. Çdo anëtar i kësaj administrate është skanuar si në kohën e fashizmit, dhe kur është dyshuar dikush i është kërkuar të mos votojë duke i marrë peng kartën e votimit. Nxënësit e shkollave u bën trupa shëtitëse të Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, ndërsa miliona nga fondet publike u vunë në dispozicion të fushatës. Rregullat e ndershme të zgjedhjeve u shkelën me të dy këmbët. Asnjëherë nuk ka pasur presion mbi njeriun e lirë në këtë vend se sa këtë herë për të qenë pro pushtetit.

Të gjitha këto tipare në të vërtetë kanë vulosur një fushatë të pandershme zgjedhjesh, dhe si rrjedhim kemi humbur qysh sot shansin të kemi standarde zgjedhjesh. Nervozizmi i kryeministrit lexohet qartë dhe ai është duke ndërsyer ushtrinë e pushtetit kundër votës ditën e diel. Qysh sot raporti i shkruar për zgjedhjet e ka të stampuar faktin që zgjedhjet nuk janë të ndershme. Mbetet të mësohet nëse do të jenë të lira apo jo ditën e votimit dhe në proces të numërimit. Kjo është një betejë për tu bërë. Opozita ashtu siç përballoi këtë fushatë të pandershme, duhet të përballojë dhe zgjedhjet e së dielës që nëse vazhdohet me këtë ritëm dhune, do të shënojnë fillimin e destabilizimit real të vendit për shkak të inkriminimit të pushtetit dhe makthit që prodhon humbja e mundshme. Ajo duhet të jetë aty jo vetëm si dëshmitare, por dhe si faktori real për ta ndalur këtë të keqe që Berisha nuk arriti ta fshehë dot nga sytë tanë edhe me këtë fushatë të dështuar elektorale, e cila tashmë ka pak shanse të prodhojë zgjedhje të suksesshme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›