E Shtunë, 31 Tetor 2026

Antes del fin – Përpara fundit

05-05-2011 / Nga Qemal Sakajeva

In memoriam për Ernesto Sabato                                             

Ernesto Sabato: Shqipëria “ …më priti si bamirës, si mbret, si birin e dashur”

Dihej, “Veve Group” administronte fondacionin kulturor që, heshturazi, përpiqej të bënte Ministrinë e Kulturës. Me kohë, në vartësi të parave, shpalli se jepte një çmim vjetor për një shkrimtar botëror. Pasi qe marrë pëlqimi, u emërtua “Çmimi Kadare”, përfshirë shpërblimin prej 20 mijë dollarësh amerikanë.
Shkrimtarja M. Meksi ishte përgjegjëse kryesore. Ajo njoftoi ardhjen në Televizionin Shqiptar, në një takim të paralajmëruar, për të përgatitur një lajm mbi një ngjarje që ndodhte për herë të parë, më 1994. Nuk ishte më sekret as emri i autorit të përzgjedhur si fitues. Ai qe shkrimtari botëror argjentinas Ernesto Sabato, me një degë me gjak të hershëm arbëresh, siç e ka pohuar edhe vetë.
Kërkesa e Mirës qe e drojtur, përkundër natyrës së saj të shpenguar. Ose, më shumë të thuash, qe e thjeshtëzuar. I thashë se do të bëja tjetërçka: ftoja shkrimtarin Ernesto Sabato në transmetim të drejtpërdrejt në studio.
-Cili gazetar do të drejtojë bisedën?
-Ti, - iu përgjigja, sepse je njohëse e spanjishtes dhe e veprës së shkrimtarit. Kështu, biseda ka mundësi të dalë e shkathët, e beftë dhe e bukur.
Atëherë përcolla ftesën që Ernesto Sabato, me të përfunduar bisedën, të vizitonte edhe Televizionin. Shkrimtari i njohur, mjaft i moshuar dhe kurajoz, për të ndërmarrë udhëtimin e gjatë, nga Argjentina në Shqipëri, me gjithë ato vite nën lëkurë, u shfaq në drejtori. Qe thatim, si nga një shtrydhje e thellë e jetës. Mbante syze shumë të errëta, që nuk i hiqte asnjëherë. Buzëqeshjen e kishte energjike. Spanjishten të shpejtë. Lëvizjet, çuditërisht, të shkathëta. Humorin të pandërprerë. Me këtë vend kishte lidhje gjaku, sepse vet tha gjatë bisedës televizive që, “gjyshja ime nga nëna është shqiptare”.
-Që kur zbrita në aeroportin e Rinasit, gjatë pak orëve nëpër rrugët e Tiranës dhe deri këtu në Televizion, kam marrë dy përshtypje të mëdha: njerëzit me fytyra të qeshura dhe vajzat shumë të bukura. Oh, sa të bukura!- tha. Pasthirrma e pasfjalëve, Ernesto Sabatos i doli pa vetëdije, si për të kuptuar që, vajzat pranë dhe rinia e tij, qenë larg.
Si për rastësi, gjatë zbritjes së shkallëve, disa zonjusha të bukura u shfaqën tek ngjiteshin ose zbrisnin katet, për arsye të ndryshme ose thjesht për varavingo. Duke ia njohur shkrimtarit pikën e dobët, secilën prej tyre e ndaloja tek Sabato. Ai i vështronte dëshirueshëm, me sytë që i xixëllonin nga përtej qelqeve, edhe pse errësues. I përqafonte e puthte pa të keq. U shqiptonte fjalë lavdëruese në spanjisht. Për çdo njërën që takoi, shqiptoi të njëjtën pyetje, për t’i dhënë vetes të drejtë, mbi zbulimin befasues:
-Shikoje, a nuk është shumë e bukur?!
Sa gjatë zgjati zbritja e katër kateve, përmes hollit të gjerë dhe dalja në rrugë, ku e priste vetura për t’u larguar!
Në ato ditë të qëndrimit në Shqipëri, u organizua një veprimtari luksoze, në të cilën Presidenti Sali Berisha i akordoi shkrimtarit Ernesto Sabato titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Pas kthimit në Argjentinë, Ernesto Sabato botoi librin “Antes del fin” - Përpara fundit. Aty flet edhe për vizitën në Shqipëri. Ndër të tjera shkruan: “Në Tiranë pata një ndër nderimet më emocionuese të jetës sime. Ai vend që duroi tiraninë e, ku akoma mund të shihen mbetjet e diktaturës, fytyrat e rrudhosura nga vuajtjet dhe bunkerët e errët që u ndërtuan nga tirani, më priti si bamirës, si mbret, si birin e dashur”.
Të shtunën, më 30 prill 2011, shkrimtari Ernesto Sabato ndërroi jetë,  dy muaj para se të mbushte 100 vjeç.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›