Kur bota zbulon Zotin, Atdheun dhe Familjen
Lumturimi i Papës dhe turma e të devotshmëve në Romë, ndërhyrja në Libi dhe ditëlindja e Italisë, martesa në familjen mbretërore angleze, ringjallja e patriotizmit amerikan pas vdekjes së Bin Ladenit. Katër ngjarje planetare vetëm në një javë ndezën dritat e formave të ndryshme të një trinie të lashtë: Zoti, atdheu dhe familja. Kishte kohë që nuk u shihnin së bashku.
Çfarë ndodhi me Zotin, atdheun dhe familjen? Kanë qenë për shekuj me radhë horizonti i jetës dhe i kuptimit të njerëzve, më pas janë shndërruar në rolin e flamurit ideal për lëvizjet konservatore dhe tradicionale. Tani janë arkaike dhe shërbejnë më shumë për të etiketuar pozicionet e vjetruara të të tjerëve sesa për të pohuar të vetat. Me çfarë u zëvendësuan? Mund të përgjigjemi me asgjë, ose me asgjë të bazuar tek horizonti, ose historikisht janë zëvendësuar me liri, barazi dhe vëllazëri. Ose më thjesht që janë shkëmbyer me individin, të drejtat dhe lirinë e tij sovrane për t’u ndjerë qytetar i botës, pa lidhje a priori. Duket e pamundur të besosh tek Zoti, atdheu dhe familja. Kush i përjeton nuk i mendon dhe kush i mendon i konsideron të vdekura. Megjithatë, Zoti, atdheu dhe familja pushtojnë ende mendimin suprem të gjysmës së humanizmit dhe mungesa e tyre është perceptuar si një zbrazëti nga gjysma tjetër. Zoti, atdheu dhe familja jetojnë në mendimet e thella, në kujtimet dhe keqardhjet më të forta, animojnë artin, ëndrrën dhe letërsinë, qëndrojnë si nostalgji dhe ndjenja, sepse merren respektivisht me sferën e mendimit e të besimit, të jetës publike e civile, të jetës intime dhe sentimentale. Ata janë thirrur në mënyra të ndryshme: për shembull në kuptimin fetar, ndjenjën e komunitetit dhe ndjenjën e prejardhjes. Njeriu ka tre dimensione origjinale: që është humanizmi i tij, natyra dhe kultura e tij: dimensioni vertikal që na shtyn drejt lartësisë, dimensioni horizontal që na vendos në një komunitet dhe dimensioni i brendshëm që çon në gjetjen e prejardhjes. Në këtë udhëtim të trefishtë drejt qiellit, tokës e rrënjëve ndeshemi në figura e parashikime që thërrasin Zotin, atdheun dhe familjen. Po nëse është e nevojshme t’i ri-mendojmë dhe t’i rijetojmë në të tashmen tonë dhe në të ardhmen e afërt? Po nëse nga zhdukja e tyre lindin dëshpërimi cinizmi dhe abuzimet, frikët dhe mbylljet? Po nëse kemi nevojë për atë horizont për të qenë njerëz e për të krijuar me të vërtetë lidhje me njëri-tjetrin? Para kësaj duhet të kthehemi tek abc-ja.
Si mund të mendohen sot Zoti, atdheu dhe familja me ndjeshmërinë e së tashmes, pa u kthyer tek e shkuara? Kryesisht përmes zgjedhjes së lirë, pa asnjë veprim automatik të imponuar nga natyra, historia, autoritetet apo ligji, por me një bast të lirë radikal midis rastësisë dhe fatit, midis lirisë për t’i dhënë kuptim ose jo origjinës, lidhjeve tona, kuptimit tonë të së shenjtës dhe hyjnores.
Kemi nevojë t’i japim një kuptim jetës, duke e njohur atë si një dizajn inteligjent, pastaj për të njohur një vend si shtëpinë tonë, tokën tonë, pra për të ushqyer lidhje të veçanta të komunitetit dhe të traditës.
Së dyti, duhet të kthehemi nga lëvozhga tek thelbi, nga esenca e atij kuptimi fetar, të komunitetit dhe të origjinës. Me dashuri për të vërtetën, pavarësisht nga kostoja, pa mburoja retorike dhe pa gënjeshtra të garantuara. Është e ndershme të besohet se format historike, leksikore dhe rituale në të cilat manifestohet Zoti, atdheu dhe familja mund të vdesin e të ndryshojnë, por perëndimi i disa besimeve shekullore, bindjeve dhe strukturave, nuk do të thotë patjetër fundi i atyre horizonteve dhe i nevojës sonë. Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis formave që kalojnë dhe përmbajtjeve që mbesin, të kuptohet së çfarë duhet shpëtuar, rigjeneruar dhe çfarë duhet lënë të vdesë.
Së treti, sot Zoti, atdheu dhe familja duhen menduar jo vetëm në prezencën, por edhe në mungesën e tyre, nëpërmjet efekteve që ajo prodhon. Nuk mund të mohojmë se bëhet fjalë për parime të vuajtura, gjithnjë e më shumë të brishtë e të pasigurt. Nuk mund të shtiremi se kemi një pastërti, të cilën nuk e kemi, duhet të njohim se në skamjen e tyre gjendemi edhe ne, mbajmë edhe ne rënie dhe jo koherenca. Nuk ka mbrojtës të pa kontaminuar të ortodoksisë dhe të respektimit; dhe ne shpesh hezitojmë dhe kthejmë shpinën. Prandaj, asnjë pretendim i superioritetit dhe i pastërtisë drejt të tjerëve është arsyeja dhe realizmi i popullit të përulur.
Së katërti, duhet të kihet parasysh se asnjë nuk mund të vendosë monopolin, primatin, ekskluziven e Zotit, atdheut dhe familjes së tij. Dashuria për Zotin, atdheun dhe familjen nuk do të thotë t’ia mohosh atë të tjerëve, por t’i respektosh të gjithë, duke filluar nga të tutë. Nëse mohon Zotin, atdheun dhe familjen e të tjerëve, mohon dhe të tutë. Nëse mohon çdo Zot, çdo atdhe e çdo familje, mohon humanitetin, dinjitetin dhe identitetin tënd, të të tjerëve dhe të botës nga e cila vjen. Ai që akuzon për tmerret e bëra në emër të Zotit, atdheut dhe familjes, ngatërron ligësinë njerëzore me pretekstet me të cilat është veshur ndër shekuj. Gjithashtu edhe liria, barazia, vëllazëria dhe të drejtat humane janë përdorur për të imponuar terrorin jakobin, diktaturat komuniste, fanatizmin ateist kundër Zotit, atdheut dhe familjes.
Së fundmi, konkluzionet: heqja e kupës ortodokse, më mirë lehtësia ironike. Të hiqet përsëritja e shkollës, më mirë arsimimi i popullit për këto parime. Të hiqet individualizmi mendjemadh ose versioni i tij sektar, më mirë bashkimi me hendekun popullor të një ndjeshmërie të përbashkët dhe një tradite të sprovuar nga eksperienca.
Nuk e di nëse kjo do të mjaftojë për të rigjeneruar të tashmen dhe dashurinë për Zotin, atdheun e familjen, por nuk shoh gjë tjetër në horizont përveç meritave të zgjimit të pasioneve ideale dhe asgjë që kujton me të vërtetë historinë dhe jetën autentike, kulturën dhe natyrën njerëzore. Po nëse sot kjo do të ishte detyra ideale e civile, politike e morale? Mendojeni të paktën, për të mos vdekur nemokristianë, domethënë bij të asnjë Krishti.
Marrë nga il Giornale