E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, gjimnazistët pjesë e saj, me PD, PS dhe LSI

TIRANE- Fillimi i fushatës elekto rale nuk angazhon vetëm kandidatë e militantë. Nxënësit e shkollave të mesme janë pjesëmarrës rigorozë e të zjarrtë të fushatës elektorale, sidomos ata që janë pjesë e forumeve rinore të partive të ndryshme. Të rinjtë marrin pjesë në tubimet elektorale të zonës së tyre, por ka dhe nga ata që në javët e fundit para zgjedhjeve udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë duke bërë punë vullnetare. 

“Puna vullnetare” konsiston në ndihmën për të ngritur skenën, në ngjitjen e shpërndarjen e posterave, brohoritjet pas fjalive të
liderit, dhe mbajtjen e pankartave apo veshjen e bluzave të partisë. Të jesh pjesë e një forumi rinor partiak është kthyer tashmë në modë, dhe gjimnazistët e kanë marrë seriozisht duke bërë fushatë ku të munden, në klasë, në oborrin e shkollës, në lagje e farefis. Sa më shumë shokë e shoqe të anëtarësojnë, aq më të ‘famshëm’ e të ‘respektuar’ bëhen ata në radhët e forumit. Nuk po flasim për të rinj që e shohin pjesëmarrjen në fushatë si kalim kohe. 

Një pjesë e mirë e gjimnazistëve me të cilët kontaktuam, filluan të na bëjnë edhe neve propagandë politike, duke na treguar se ata janë të informuar për partinë ku janë bërë pjesë, dhe e kanë marrë seriozisht misionin e tyre. Janë të rinj që mendojnë se një ditë, kjo përfshirje do t’u japë mundësinë të bëhen njerëz të rëndësishëm në fushën e politikës, dhe pse jo në udhëheqjen e vendit. Teksa flasin, i referohen me adhurim liderëve kryesorë politikë, Berisha, Rama e Meta. 

Përtej argumenteve politike, ata ua “mbushin mendjen” bashkëmoshatarëve të tyre duke i thënë se të jesh pjesë e fushatës të jep shpesh
mundësinë të shkosh në party, të fotografohesh me kryeministrin e vendit apo me emra të tjerë të rëndësishëm. Në fakt, ne kemi parë
që forumet e partive të mëdha organizojnë shpesh party apo udhëtime në qytete të ndryshme të Shqipërisë, dhe për të qenë pjesë e argëtimit mjafton vetëm të plotësosh formularin e anëtarësimit në forum. 

Nëpër qytete situata është akoma më e “nxehtë”, duke qenë se tubimet janë më të rralla. Burime nga qytete të ndryshme na treguan se shpesh ndodh që në mitingjet dhe koncertet e fushatës shkon e gjithë shkolla. Ka dhe raste kur të rinjtë shkojnë në koncerte edhe të së djathtës, edhe të së majtës, vetëm për të parë koncertin. 

DETYRAT
Detyra kryesore e një gjimnazisti që është anëtar forumi rinor, është të anëtarësojë sa më shumë bashkëmoshatarë. Ky është qëllimi. Për këtë arsye ata marrin me vete shokët dhe shoqet nëpër tubime elektorale, e më pas fillojnë “fushatën” duke treguar e argumentuar se sa bukur është të bësh pjesë në një parti. “Unë kam disa shokë e shoqe që janë nëpër forume, dhe sidomos tani që janë zgjedhjet shkojnë shpesh në aktivitete. Ka raste që lënë edhe mësimin. Mua më ftojnë gjithmonë, po nuk para shkoj, s’më pëlqen shumë”, - thotë E. M., një vajzë e vitit të tretë në shkollën e mesme “Sami Frashëri”. 

“Këtu në Tiranë kam shkuar në dy raste kur ka pasur aktivitete PD-ja, po nëpër qytete jo, se nuk më lënë prindërit të shkoj”, - thotë B.K. nga “Eqerem Çabej”. Ka nga ata që mezi po presin që të afrojë data e të udhëtojnë sa në një qytet në tjetrin, duke e parë edhe si ekskursion. “Shkolla ka mbaruar, kështu që pse të mos shkojmë. Me atë rast bëjmë dhe pak qejf ”, - thotë duke qeshur një djalë i vitit të dytë. 

SENATORET
Senatorët e klasave dhe presidentët e shkollave janë gjimnazistët më të përfshirë në forume e fushata. “Sa herë që ka ndonjë aktivitet vjen Presidenti i Senatit, ose dërgon senatorët e klasave që të marrin nga dy-tri vetë për klasë”, - tregon A.H., nxënës i vitit të dytë në shkollën “Eqerem Çabej”. “Kjo është bërë si modë tani. Senatorët sidomos janë të gjithë nëpër forume, PD, PS dhe LSI. Ca e bëjnë sipas bindjeve të prindërve, por shumica e shohin më shumë si modë”, thonë duke buzëqeshur një grup vajzash të vitit të tretë në “Sami Frashëri”. “Senatorja e klasës sonë s’ka punë tjetër, ngeli te LSI-ja, thua se do e bëjnë deputete”, thotë duke qeshur një djalë. Një pjesë e mirë e gjimnazistëve, teksa bisedojnë me ne shprehen entuziastë për idenë e disa javëve më parë që dha kryeministri Berisha lidhur me votimin e 16-vjeçarëve. “Ne jo vetëm që do bëjmë fushatë, po edhe do kishim votuar me dëshirë sikur ta miratonin idenë e Sali Berishës”, thotë një djalë i vitit të dytë. 

MESUESIT
“Shumica e mësuesve janë demokratë, dhe kur bëhet fjalë për ndonjë aktivitet të PD-së, ka raste që na thonë të shkojmë. Edhe ata vetë
shkojnë”, - thotë O.R., nxënëse e vitit të tretë në “Sami Frashëri”. “Ka pasur raste që nga klasa ime nxënësit kanë marrë leje për të shkuar në mbledhjet e forumit të LSI-së, dhe mësuesja u ka dhënë leje. Kanë ikur nga mësimi e s’kanë marrë mungesa”, sqaron një djalë i shkollës “Petro Nini Luarasi”. Nxënësit tashmë e kanë kuptuar se çfarë bindjesh politike kanë mësuesit duke qenë se i shohin shpesh nëpër aktivitete, dhe na thonë me bindje se shumica e tyre janë demokratë. “Nuk na kritikon njeri në shkollë kur marrim pjesë nëpër mbledhje për fushatë. Mësuesit shkojnë për vete, me gjithë drejtoreshën”, sqaron një djalë i vitit të tretë. 

HISTORIA 
Shpesh opozita ka akuzuar shkëputjen e nxënësve nga mësimi, për të marrë pjesë në tubimet politike. Disa ditë më parë, kreu i PSsë, Edi Rama u shpreh se nxënësit e shkollave nuk duhet të detyrohen të marrin pjesë në mitingje. Sipas kryesocialistit Rama, detyrimi i
mësuesve dhe nxënësve të shkollave të marrin pjesë në mitingje duhet të konsiderohet vepër penale. Si kundërpërgjigje për këto akuza, vetë nxënësit janë shprehur që, në mitingje shkojnë me dëshirë dhe nuk i detyron askush.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›