Fushata me autobus, Rama kopjon Bill Clinton
Model që u ndoq nga Obama, Veltroni në Itali dhe së fundmi nga Rama
Edi Rama ka nisur së fundmi fushatën e tij me një autobus luksoz, por edhe shumë të bukur. Kjo risi e Ramës tërhoqi menjëherë vëmendjen e mediave dhe filloi të tërhiqte vëmendjen e njerëzve. Por në fakt kjo risi fushate nuk është shqiptare. Krijuesi i këtij modeli fushate është Bill Clinton.
Zgjedhjet në SHBA
Pasi Bill Clinton siguroi nominimin e konventës të Partisë Demokratike në vitin 1992, së bashku Al Gore nisën një tur me autobus të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo risi e Clinton i tërhoqi shumë amerikanët, pasi ishte hera e parë që bëhej një fushatë e tillë. Në fakt lidhur me autobusin e Clinton ka edhe një detaj interesant që ish presidenti amerikan e ka treguar vetë në librin e tij të kujtimeve. Stafi i Clinton vendos vetë që autobusi të kishte një defekt (media nuk e dinte këtë vendim) dhe autobusi i prishur ndalon në mes të rrugës. Në ato momente Clinton së bashku me stafin e tij nisin të shtyjnë autobusin dhe Clinton i buzëqeshur thotë para mediave: Kështu do ta shtyj para edhe Amerikën! Ky truk i tij pushtoi në atë kohë faqet e para të gazetave.
Obama ndjek Clinton
Ishte Barack Obama ai që më pas ndoqi idenë e Clinton duke bërë fushatë me autobus. Në fakt udhëtimi me autobus ishte vetëm një nga risitë e fushatës Obama, pasi ky i fundit zhvilloi një fushatë model që tani kopjohet kudo. Vlen të theksohet se Obama ishte i pari që u kushtoi rëndësi rrjeteve sociale, të cilat tani përdoren edhe nga politikanët tanë.
Veltroni
Në Europë ishte Walter Veltroni ai që nisi të bënte një fushatë me model amerikan. Edhe ai në shembullin e Bill Clinton dhe të Barack Obamës nisi në Itali një tur me autobus. Në fakt me autobusin e Veltronit pati edhe një rast humoristik, ku ai hëngri gjobë për mos respektim të rregullave të kodit rrugor.
Beteja në rrjetet sociale
Edi Rama ishte ndoshta i pari politikan në Shqipëri që përqafoi shumë shpejt rrjetet sociale. Ai nisi të komunikonte në Twitter ku bënë deklarata të shumta, ose i përgjigjet akuzave të kryeministrit. Ndërsa kryeministri Berisha fillimisht bënte ironi me ironi me Ramën lidhur me përdorimin e Twitterit. Por tashmë dhe ai kanë në dashuri me rrjetet sociale. Kryeministri hapi para disa muajsh profilin e tij në Facebook, ku shkruan statuse pothuajse përditë.
Basha, politikani i parë demokrat me risinë Facebook
Ndryshe nga socialistët, demokratët dukej sikur kishin një alergji ndaj përdorimit të rrjeteve sociale. Por kryebashkiaki i Tiranës, Lulzim Basha, e theu këtë tabu kur ai kandidoi për Bashkinë e Tiranës. Në këtë mënyrë Basha, u bë politikani i parë që solli risinë e përdorimit të Facebook në kampin e djathtë. Ai u anëtarësua në këtë kanal komunikimi disa muaj para se të bëheshin zgjedhjet vendore në vend. Konkretisht Basha është anëtarësuar më 22 shkurt të vitit 2011, rreth 2 muaj para zgjedhjeve të 9 majit të vitit 2011. Me sa duket, kjo mënyrë e re për të tërhequr një numër sa më të madh simpatizantësh ka qëlluar tepër e suksesshme për të, pasi ai arriti të fitonte garën elektorale të vitit 2011. Veç kësaj, anëtarësimi i hershëm i kryetari të Bashkisë së Tiranës në këtë rrejt social ka bërë që ai të ketë edhe numrin më të madh të ndjekësve. Tani për Bashën rrjeti social Facebok ka qëlluar tepër i suksesshëm, pasi në këtë faqe ai demonstron edhe punën e bërë nga Bashkia, ku në çdo aktivitet apo investim të bërë nga Bashkia dëshmohen punimet e kryera nëpërmjet fotografive dhe lajmeve.
Braçe, Balla dhe Bushati më aktivët në Facebook
Pjesa më e madhe e deputetëve të Partisë Socialiste i përdorin rrjetet sociale. Por tre deputetët më aktivë janë Erjon Braçe, Ditmir Bushati dhe Taulant Balla. Këta tre deputetë pothuajse çdo ditë kanë nga një status apo deklaratë duke hedhur kritika në drejtim të qeverisë. Deputeti i PS-së Erjon Braçe, që është më aktiv, publikon pothuajse përditë në profilin e tij të dhëna që u përkasin aferave të zbuluara nga forca më e madhe opozitare në vend.