E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata ne SHBA gjate gushtit Romney mbledh 100 milione dollare fonde

62 ditë para zgjedhjeve presidenciale të 6 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mit Romni vazhdon të shtojë largësinë e tij ndaj presidentit Obama në mbledhjen e fondeve. Edhe gjatë muajit gusht kandidati republikan ka tejkaluar kuotën e 100 milion dollarëve, pas 101. 3 milion dollarëve të mbledhura në muajin korrik, pra 26 milionë më shumë se 75 milion dolllarë të mbledhura nga Obama. Ndërkohë që muaji qershor ka shënuar një rekord për Romnin me 106 milionë dollarë kundrejt 71 milionë të Obamës. Këto të paktën janë të dhënat që vijnë nga stafi i republikanëve edhe pse për të dhënat zyrtare duhet pritur deri javën e ardhshme. Por debatet mes dy kampeve kanë përshirë tema të ndryshme duke shkaktuar reagime dhe kundër reagime. Partia Demokrate e Obamës ka hequr nga platforma e saj idenë e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, duke shkaktuar zemërimin e Mit Romnit, i cili e ka përshkruar këtë si një gjest të turpshëm. Lajmi është publikuar nga Uoll Strit Xhournal. Në vitin 2008 platforma demokrate pohonte se Jeruzalemi ishte dhe do të mbetej kryeqytet i Izraelit, ndërkohë që në platformën e këtyre zgjedhjeve argumenti nuk është përfshirë fare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›