E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata po ndikon keq në punën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka adresuar disa dukuri negative që po e karakterizojnë Kuvendin e Kosovës, para dhe gjatë fushatës parazgjedhore. Përfaqësues të KDI-së vlerësuan se mungesa e mbarëvajtjes së punëve të disa komisioneve dhe gjuha e ashpër joparlamentare, po ndikojnë në zvarritjen e miratimit të ligjeve dhe çështjeve të tjera në Kuvendin e Kosovës.

Në konferencë për gazetarë të organizuar nga KDI është lansuar, po ashtu, faqja elektronike Votaime.org, si një mjet që përmban të dhëna të shumta për Kuvendin e Kosovës dhe deputetët.

Driton Selmanaj, analist i KDI-së, ka paraqitur disa raste të shtyrjes së mbledhjeve të Komisioneve parlamentare në mungesë kuorumi. Mbledhjet e datës 15.09.2009 dhe 21.10.09 të Komisionit për Ekonomi nuk u mbajtën për shkak të mungesës se kuorumit të nevojshëm. Po ashtu, mbledhja e datës 28.09.2009 e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri nuk u mbajt për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm. Një situatë e tillë, ka karakterizuar edhe Komisionin për Integrime Evropiane dhe atë të për Buxhet dhe Financa, ka deklaruar Selmanaj.

Në konferencë është përmendur edhe gjuha joparlamentare që po përdoret në Kuvend gjatë fushatës parazgjedhore. Sipas Selmanajt, ka pasur disa raste, kur deputetët të partive të ndryshme, kanë shkëmbyer akuza të rënda me deputetët të partive tjera.

Me mosprezencën e rregullt të deputetëve nëpër komisione, KDI ka vlerësuar se po zvarriten disa ligje të rëndësishme. Sipas Selmanajt, ka zvarritje në disa projektligje të rëndësishme që ende nuk janë trajtuar në Kuvendin e Kosovës, si rregullorja e Punës së Kuvendit (mars 2009), Projektligji i Punës (prill 2009), Projektligji për Liritë dhe Organizimin Sindikal të Republikës së Kosovës (shtator 2009), Projektligji për Qytetin e Prishtinës dhe ai për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje (prill 2009). Po ashtu janë përmendur edhe disa projektligje nga fusha e drejtësisë, si Projektligji për Gjykatat (korrik 2009), Projektligji për Prokuroritë Publike (korrik 2009), Projektligji për Këshillin Gjyqësor (korrik 2009), Projektligji për Këshillin Prokurorial (korrik -2009), Projektligji për Financimin e Partive Politike (me vonesë nga maji) dhe Projektligji për Pagat e Zyrtarëve të Lartë Publikë (qershor 2009).

Ndërsa, Fitore Zeneli, asistente e programit në KDI, ka prezantuar lansimin e faqes elektronike www.votime.org. Sipas Zenelit, kjo faqe synon që të fuqizojë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe sektorit joqeveritar në vendimmarrje, duke ofruar informata të detajuara për punën e Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›