E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarja Rose merr Fahredin Gungën

Pas shkrimtarëve Ismail Kadare, Jevrem Brkovic e John Updike, laureatëve të çmimit letrar ndërkombëtar Kepi i Shpresës së Mirë Fahredin Gunga iu shtohet edhe një shkrimtare femër. Kjo është shkrimtarja franceze Pascale Rose, e cila e mori këtë çmim të premten në Mitrovicë.
Duke folur në këtë manifestim, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, tha se lista me emrat e autorëve të mëdhenj që kanë shpërthyer kufijtë botërorë të letërsisë do të ndihmojë që Mitrovica dhe Kosova të identifikohen më tepër me kulturë.

Në anën tjetër, ministri në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, tha se prania e njerëzve të letrave dhe përgjithësisht e njerëzve të artit në këto takime është shprehje e nderimit të tyre të veçantë për figurën e shquar të poetit Fahredin Gunga, për këto takime poetike me karakter ndërkombëtar dhe për vetë qytetin e Mitrovicës. Ai shtoi se këto takime dëshmojnë se shpirti krijues dhe artistik i Mitrovicës nuk mund të ndahet e as të tëhuajësohet. Me mbështetjen materiale institucionale ndaj zhvillimeve kulturore në këtë qytet, në të vërtetë mbështetet ideja për shndërrimin e Mitrovicës në një kryeqytet kulturor të vendit tonë, tha Beqiri.

Më pas, në mbështetje të vendimit të jurisë profesionale në përbërje të: Murat Bejta, kryetar i jurisë, Ali Podrimja dhe Avni Spahiu, ministri Beqiri ia dorëzoi laureates së këtij viti, shkrimtares Pascale Roze, çmimin letrar.

Pasi e mori çmimin, shkrimtarja franceze tha se ndjehet posaçërisht e nderuar që i është ndarë ky çmim poetik me një emërtim kaq simbolik dhe domethënës, i tillë siç është Kepi i Shpresës së Mirë Fahredin Gunga.

"Më bënë shumë të lumtur dhe jashtëzakonisht krenare emërtimi i "Kepit të shpresës së mirë", që është një çmim që mund të duket paradoksal për një çmim të letërsisë, sepse e dimë që librat e vlershëm dhe autorët e lartë trajtojnë tragjeditë dhe vështirësitë e qenieve njerëzore, por shpresa është dhimbje e përvojës që bëhet një fushë ku përjetohet dashuria, pavarësisht se ku ndodhë ajo, në Francë, Ballkan apo diku tjetër, për të kuptuar njëri tjetrin. Jam tepër e prekur sepse jam e nderuar këtu në Mitrovicë, tha shkrimtarja Pascale Rose.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›