Fushatë për Mbrojtjen Civile në Lezhë, sensibilizim për përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore

Qarku i Lezhës iu bashkua fushatës kombëtare “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Institucioni i Prefektit, me mbështetjen e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (PNUD) në Shqipëri.
Në këtë aktivitet sensibilizues morën pjesë strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile në nivel qarku dhe vendor, ku u improvizuan raste emergjente për të testuar dhe përmirësuar reagimin e strukturave përgjegjëse në përballimin e emergjencave civile, veçanërisht në rastet e fatkeqësive natyrore.
“Është planifikuar stimulimi i një zjarri në një shkollë ku është demonstruar edhe reagimi i strukturës mbrojtëse të Bashkisë Lezhë. Njëkohësisht është parë dhe reagimi dhe koordinimi i strukturave të tjera si urgjencat mjekësore, Policia e Shtetit dhe përballimi i reagimit sa më i shpejtë i këtyre forcave me qëllim minimizimin e dëmeve”, tha Taulant Malshi, prefekt i Qarkut Lezhë.
Pjesa e informimit dhe ndërgjegjësimit të publikut është një element i rëndësishëm në ngritjen e nivelit të mbrojtjes së përgjegjësisë civile, jo vetëm në nivel institucional por edhe atë kombëtar. Është e domosdoshme që qytetarët të kenë njohuritë dhe aftësitë për të reaguar në mënyrë të shpejtë dhe për të dhënë ndihmën e shpejtë, që edhe për t’u dhënë kohë grupeve më të specializuara për t’i mbështetur ata në përballimin e emergjencave civile”, tha Jonian Haka, përfaqësues i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhe fletushka informuese për qytetarët, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë për reagim në kohë në rast emergjencash, pasi komuniteti shihet si faktor mjaft i rëndësishëm në këtë drejtim.
RTSH