Fushtica: Kemi marrë të gjitha masat për të shmangur problematikat nga moti i keq në Prishtinë

PRISHTINË, 18 nëntor /ATSH/ Moti i keq rrezikon të sjell përmbytje në Prishtinë dhe për këtë arsye është anuluar procesi mësimor.
Ky vendim është marrë që të sigurohen fëmijët dhe të parandalohen situata të rrezikshme, ka thënë drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica gjatë një prononcimi për KosovaPress.
Fushtica u shpreh se trafiku është i rënduar dhe se ekipet në terren kanë ndërhyrë në disa zona.
Ai tha se janë bërë të gjitha përgatitjet dhe janë marrë të gjitha masat që të ndërhyhet në rast nevoje.
“Kemi disa raste në kryeqytet me të cilat jemi duke u marrë edhe pse shiu është duke vazhduar jo me intensitet aq të madh sa ka qenë më herët, por sipas Institutit intensiteti i shiut do të jetë i lartë gjatë orëve në vijim dhe gjatë natës. Dhe për këtë arsye ne i kemi marrë të gjitha masat”, u shpreh Fushtica.
Ai u ka kërkuar qytetarëve që të mos shqetësohen dhe të ruajnë qetësinë, pasi situata është nën kontroll.
“Për momentin kemi një trafik të rënduar në qytet, jo diçka që mund të bëjmë panik. Ju kërkojmë qytetarëve që të mos bëjnë panik, situata është nën kontroll dhe ne kemi marrë të gjitha masat që të ju dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve”, shtoi ai.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për shkak të reshjeve mund të shkaktohen “vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete”.
/KosovaPress//r.e/