E Diel, 1 Nëntor 2026

Futboll, Katania bllokon Milanin, shans i artë për Juven

MILANO - Milani është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Katanias, duke i dhënë një shans të artë Juventusit që të shkurtojë diferencën në renditje. Efekti “Barcelona” duket se ka bërë të vetën te kuqezinjtë, që kanë lënë pikë edhe në kampionat, ndoshta duke e patur mendjen në “Kamp Nou”. E megjithatë, ndeshja e mbrëmshme nuk u ka shpëtuar polemikave, për shkak të një goli të anuluar të Katanias për pozicion jashtë loje si edhe të një momenti si ai i ndeshjes me Juventusin. Topi i goditur nga Robinjo u largua ndoshta brenda porte, duke nervozuar Alegrin. Gjithsesi, rasti ishte për interpretim, pasi sfera nuk e kishte kaluar plotësisht vijën fatale. Barazimi i Milanit bën që Juvja të ketë një mundësi të mirë për ta çuar diferencën në 2 pikë, nëse fiton sot kundër Napolit në Torino.
Ndeshja
Katania e ka nisur më mirë ndeshjen e mbrëmshme, por mbrojtësit kuqezinj duken në një formë të shkëlqyer në këto momente, duke mbyllur çdo hapësirë. Emanuelson gabon një rast fatal në minutën e 8-të, ndërsa të në 34-tën, Robinjo kalon Milanin në avantazh, duke shfrytëzuar mjaft mirë një asist të Ibrahimoviç. 4 minuta më pas Katania godet traversën, ndërsa 2 minuta nga starti i pjesës së dytë barazon me Gomez, por goli anulohet. Gjithsesi, pozicioni jashtë loje i tij nuk ishte. Është i rregullt ndërkohë goli i Spolit në minutën e 57-të, që barazon shifrat. Minuta e 65-të sjell një moment tjetër të diskutueshëm. Robinjo goditi dobët drejt portës dhe Markeze largoi mbi vijë, por aksioni ishte nga ata që shkaktojnë shumë polemika. Kjo, pasi trajneri Alegri e ka krahasuar menjëherë me golin e anuluar të Muntarit në ndeshjen kundër Juventusit.
Alegri
Pas ndeshjes, trajneri i Milanit Masimiliano Alegri ka folur me tone të ashpra kundër arbitrit. “Të gjithë flasin e akuzojnë, por të gjithë duhet ta qepin gojën, - deklaroi ai. – Ne nuk protestojmë, por është gjë e mirë që të tjerët flasin. Nëse në krahun tjetër ankohen, në këtë pikë duhet të ndryshojmë edhe ne. Goli i Robinjos ishte e vështirë për t’u parë, por ishte gol. Pastaj, janë dy raste flagrante poziconi jashtë-loje. Ne këtë vit kemi luajtur katër ndeshje të ekuilibruara dhe kemi pësuar gjithnjë vendime të çuditshme: sonte, ndaj Juventusit, në Firence dhe kundër Lacios”, shtoi Alegri i nervozuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›