E Hënë, 2 Nëntor 2026

Futbolli i femrave në RTSH/ Vllaznia fiton titullin kampion për herë të 12-të radhazi

Skuadra e vajzave të Vllaznisë ka fituar titullin kampion, pasi në finalen e Abissnet Superiore ka mundur 2-0 Partizanin, në “Arenën e Demave”.

Ky është suksesi i 12-të për vajzat kuqeblu, të cilat janë për “rekord Guinness” pasi nuk kanë lënë asnjë kampionat pa fituar që nga viti 2013.

Edhe në finalen e së dielës dominimi i Vllaznisë ishte total, pa i lënë asnjë mundësi për të shpresuar Partizanit. Vajzat kuqeblu ishin padrone të fushës që nga minuta e parë dhe e gjithë loja u zhvillua para portës së Partizanit, që sezonin e rregullt e mbylli në vendin e katërt, me 16 pikë më pak se Vllaznia kryesuese. Megjithatë, pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht disa rasteve të shkodraneve. E njëjta histori vazhdoi edhe në pjesën e dytë, me Partizanin që rezistoi deri në minutën e 52-të, kur Arbiona Bajraktari shënoi golin e parë për Vllazninë. Në minutën e 65-të, misioni i Partizanit u vështirësua edhe më tepër, kur Alvarenga mori kartonin e dytë të verdhë. Në të 72-tën, ishte Megi Doçi që shënoi golin që mbylli përfundimisht takimin, me një gjuajtje të bukur me të majtën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›