E Diel, 1 Nëntor 2026

"Futbolli italian, peng i ultrasve"

Fabio Kapelo është bërë protagonist në seminarin për gazetarët sportivë, të organizuar në Koverçano. Trajneri i përfaqësueses angleze ka folur gjatë për shumë aspekte të sportit më popullor në botë, ku ka shfrytëzuar mundësinë për të bërë akuza të forta ndaj futbollit italian. "Në Itali, ligjin e bëjnë tifozët ‘ultras‘: parullat nuk duhet të lejohen në tribuna, ka edhe shumë gjëra të tjera që nuk duhet të ndodhin gjatë ndeshjeve, por shoh me keqardhje që asgjë nuk ka ndryshuar. Për fat të keq, tifozeria e ashtuquajtur ‘ultras‘ bën atë që do. Në stadium mund të shajnë gjithçka dhe gjithkënd", tha "Don Fabio". "Rregullat ekzistojnë, por askush nuk i zbaton. Nuk e kuptoj përse një numër i madh tifozësh nuk mund të venë në stadiume për shkak të këtyre personazheve problematike. Në Spanjë dhe në Angli impiantet janë të mbushura me kapacitet të plotë, familjet ndjekin ndeshjet e futbollit së bashku me fëmijët: në Itali kjo nuk ndodh dhe duhet të kuptojmë se ku qëndron problemi. Është e nevojshme që të marrim masa drastike, pra të tregojmë kurajë për të zbatuar ligjet që ekzistojnë. Edhe ligjvënësit duhet të jenë të guximshëm". Tekniku flet me shembuj konkretë, të përjetuar gjatë aventurës te Reali i Madridit dhe në tribunat e Premierligës, ku vëzhgon futbollistët e "Tre Luanëve": "Në krahasim me Serinë A, La Liga spanjolle është një botë krejt ndryshe: një herë, një tifoz më hodhi një top letre nga tribuna dhe menjëherë e nxorën jashtë stadiumit. Klubet iberike i kanë në pronësi stadiumet dhe për këtë arsye mund të menaxhohen sipas dëshirës. Në Angli stadiumet janë gjithmonë plot, ke qejf të shohësh ndeshjet. Asnjëherë nuk ka probleme dhe punonjësit e sigurisë e zbatojnë detyrën e tyre në mënyrë perfekte".
Në Angli, Kapelo shihet si një idhull. Me punën e tij, ish-trajneri i Milanit, Juventusit dhe Realit ka bindur edhe kritikët më të ashpër, pasi arriti të krijonte një skuadër të fortë dhe i ktheu përfaqësueses ishullore respektin në arenën ndërkombëtare. Merita e rezultateve pozitive erdhi nga rregullat e forta të vendosura gjatë grumbullimit. "Grushti i hekurt" dhe ecuria pozitive, i kanë dhënë 63-vjeçarit nofkën "Fabiolous" (bashkim ndërmjet emrit Fabio dhe fjalës i mrekullueshëm). "Rezultatet e arritura më kanë bërë të mrekullueshëm, por nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur nëse skuadra do të humbiste. Respekti? Secili prej nesh ka një rol të përcaktuar dhe të gjithë duhet të tregojnë respekt brenda grupit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për lojtarët, magazinierët apo kamerierët. Këtë u mundova t‘u ngulisja në mendje lojtarëve të mirë". Zhoze Murinjo foli për problemet që ka brezi i ri i lojtarëve, të cilët e kanë mendjen vetëm te paratë dhe te makinat e bukura. Megjithatë, Kapelo e ka të qartë sesi mund të zgjidhet ky problem: "Njëzetvjeçarët? Duhet t‘i edukojmë: prindërit duhet t‘i tregojnë rrugën e duhur, menaxherët kanë detyrën që t‘i paraqesin të ardhmen, trajneri t‘i drejtojë për aq kohë sa i ka në dispozicion. Fakti që të rinjtë mendojnë se kanë arritur diçka, ende pa filluar mirë karrierën si sportistë, përbën një gabim të madh". Në fund, trajneri ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë që të emërohet trajner i Kombëtares italiane, ndërsa la të hapur derën për një rikthim të mundshëm te Juventusi: "Unë në stolin ‘axurr‘? Jo, kurrë. Çështja Kasano? Personalisht kam ‘problemin‘ Ouen. Rikthimi te Juventusi? Asnjëherë nuk mund të thuash jo me siguri, pasi nuk dihet çfarë të rezervon e ardhmja".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›