E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dritan Dajti na ofroi 200 mijë euro për vrasjen e Lul Berishës"

I penduari i organizatave kriminale të Durrësit, Adriatik Coli, ka rrëfyer dje disa tentativa për të ekzekutuar rivalin Lulzim Berisha, si dhe rekrutimin e disa personave me precedentë të lartë kriminalë në Shqipëri për ekzekutimin e tij. Sipas dëshmisë së djeshme në gjykatë, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, i penduari ka rrëfyer se në vitin 2005, në afërsi të lagjes "21 Dhjetori" në Tiranë, janë takuar Indrit Dokle, Dritan Dajti dhe Emiljano Shullazi. Organizator i takimit ka qenë Aleks Keka, i vrarë disa muaj më parë me një minë me telekomandë. Takimi ka zgjatur rreth dy orë, ku janë diskutuar të gjitha pazaret midis Dokles, Dajtit e Shullazit. Sipas Colit, i cili ishte informuar mbi këtë takim nga Keka, Dokle i kishte ofruar të merrnin përsipër të ekzekutonin Lulzim Berishën, në këmbim të një shume të majme. Dokle dhe Shullazi kishin kërkuar 200 mijë euro për vrasjen, ndërsa kërkuan 100 mijë euro paradhënie. Por Dokle këmbënguli se paratë do të jepeshin pasi të kryhej ekzekutimi.

Rrëfimi
Për më shumë se pesë orë, i penduari i organizatave kriminale të Durrësit ka rrëfyer bisedimet e Indrit Dokles për të vrarë Lul Berishën. "Gjithçka e mësova nga Aleks Keka. Pas vrasjes së Ilir Koldashit vendosa të emigroja në Itali. Për këtë më ka ndihmuar Aleks Keka, i cili kishte njohje në shtetet kufitare të Ballkanit dhe kishte një linjë të trafikut të armëve, drogës dhe klandestinëve. Udhëtova nga Tirana në drejtim të Malësisë së Madhe, përkatësisht në fshatin Bajzë, ku banonte Aleks Keka. Qëndrova rreth një orë e gjysmë në banesën e Kekës, ku kemi biseduar rreth takimit që ka zhvilluar Aleks Keka me Indritin dhe Dritan Dajtin. Aleksi më tha se Indriti është treguar shumë i ulët, pasi nuk pranoi ofertën e Dritan Dajtit dhe Emiljano Shullazit për të vrarë Lulzim Berishën. Dajti dhe Shullazi kishin kërkuar 200 mijë euro, ku 100 mijë euro do të jepeshin kapar. Por Indriti nuk pranoi", rrëfeu Adriatik Coli dje në gjykatë, duke i shtangur palët në proces. Megjithatë ai tha se Keka i kishte treguar detaje të tjera nga takimi, ku ish-kryetari i PDK-së në Malësinë e Madhe kishte qenë negociator. "Gjatë bisedës, Keka më tha se Dokle kishte humbur shumë nga mospranimi i ofertës së Dajtit dhe Shullazit. Ata mund ta ndihmonin edhe për çështje të tjera, ku fitimet për të dyja palët do të ishin të kënaqshme", shtoi Coli, duke sjellë debate në seancë në lidhje me përmendjen e personave të tjerë që nuk janë të pandehur.

Debatet
Seanca e djeshme filloi rreth orës 09:00, për të vazhduar rreth pesë orë. Prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra realizuan disa pyetje, për disa episode që akuzoheshin të pandehurit që janë pas hekurave. I penduari i bandës së Durrësit, Adriatik Coli, në rrëfimin e fundit në Gjykatën e Krimeve të Rënda para prokurorëve vijoi me dëshmi të tjera, të cilat kanë shtuar numrin e personazheve më të njohur të krimit në Shqipëri, të cilët janë ofruar në këmbim të parave për të vrarë Lulzim Berishën. Pas përfundimit të rrëfimit të Colit, avokatët mbrojtës i kanë kërkuar dy prokurorëve të çështjes që të tërheqin dosjen, pasi i penduari ka implikuar persona të tjerë në disa ngjarje apo tentativë kriminale, të cilët nuk janë në listën e të pandehurve. Ata thanë se duhen hetime të tjera për këta persona dhe dosja është e paplotë. Burime brenda gjykatës thanë se dy përfaqësuesit e organit të akuzës këmbëngulën se janë verifikuar të gjitha deklaratat nga të pandehurit dhe dëshmitarët, por nuk ka rezultuar se ka pasur vepër penale, pasi gjithçka ka qenë në formën fillestare dhe nuk ka pasur asnjë plan konkret. Në fund të debateve, gjykata e shtyu seancën me dy javë, duke i dhënë kohë avokatëve të përgatisin pyetjet që do t‘i drejtojnë të penduarit Adriatik Coli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›