E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana në 2020, me 1 milion e 40 mijë banorë

Prezantohet plani rregullues i kryeqytetit. Dje në orën 18:00 anëtarët e këshillit bashkiak janë mbledhur dhe kanë dëgjuar plot kërshëri prezantimin e këtij dokumenti nga administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, në mungesë të kryetarit të bashkisë, Edi Rama. Në planin rregullues të kryeqytetit parashikohen një listë e gjatë rrugëzgjidhjesh për Tiranën aktuale dhe qytetin metropol i së ardhmes, ndërkohë që lihen pas disa detaje të rëndësishme. Të paktën kështu e kanë cilësuar anëtarët e këshillit bashkiak, duke kërkuar më shumë "xhevap" për hapësirat e gjelbra, ruajtja e një pjese të kryeqytetit të pacenuar, banesat me kate të ulëta të paktën për qendrën e kryeqytetit. Dje është kërkuar më shumë informacion për ruajtjen e banorëve ndaj ndotjes, mbetjeve toksike, trafikut, ndërtimet nga qendra në periferi e madje edhe për ngjyrat që do të ketë ky qytet, duke e lidhur me traditën dhe klimën e vendit. Lumi i qytetit të Tiranës, zonat periferike, ndërtimet, pasaktësitë që në të ardhmen mund të jenë mollë sherri për abuzime duhet të sqarohen me imtësi dhe i gjithë plani të shqyrtohet nga specialistë të komunave ngjitur qytetit, këshillit të qarkut, arkitekt, specialist të urbanistikës.

Prezantimi

Përmes hartave dixhitale dhe përshkrimit të detajuar, administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, ka prezantuar të gjitha pikat kryesore të planit rregullues të kryeqytetit. Agolli ka nënvizuar se koncepti i zhvillimit të studios Urbanplan është ekzistenca e qytetit, duke theksuar se studimi është bërë duke marrë në konsideratë gjendjen ekzistuese të qytetit. Në planin e ri urbanistik është parashikuar se të gjitha projektet që duhet të ndërtohen, duhet të kenë në vëmendje të tyre gjelbërimin. Për këtë arsye është parashikuar që për 10-vjeçarin që do të vijë, të krijohen 175 hektarë gjelbërim.

"Zonat e gjelbra do të jenë pole të rëndësishme dhe elemente të rëndësishme të planit rregullues", thekoi administratori i Bashkisë së Tiranës. Plani parashikon 200 mijë vende të reja pune dhe mundësi banimi për 400 mijë banorë të rinj ndërsa pritet që në vitin 2020 Tirana të ketë 1 milion e 40 mijë banorë. Agolli shpjegon sipas kategorive të gjitha studimet e përfshira në plan që kanë të bëjnë me hierarkinë e rrjetit rrugor, ndërtimin e 2 parqeve urbane në Paskuqan dhe Farkë dhe 15 poliklinika të reja. Konkretisht, bëhet fjalë për ndërtimin e 4 spitaleve dhe 11 qendrave shëndetësore. Agolli gjatë prezantimit sqaroi se plani rregullues i kryeqytetit përballon sfidat e reja, ndërsa rritja e popullsisë dhe punësimi konsiderohen si sfidat thelbësore.

Sqarimet

Plani Rregullues është plan i standardeve europiane, është avangard, do t‘i japë Tiranës një shtysë të re zhvillimit. Plani është i qytetarëve, është një sistem rregullash që përcakton se si do akomodohet kjo rritje urbane. Plani nuk është projekt zbatimi i një kanali, i një fasade.

Ka pasur pjesëmarrje konsultimesh nga qytetari i thjeshtë deri te Kryeministri, te Presidenti. Ka pasur mbi 20 debate publike, ka ndenjur mbi tre muaj i ekspozuar dhe është parë nga qytetarët e Tiranës. "Nuk janë bërë konsultime të gjera, nuk jemi këtu për t‘u tallur, kur e keni pasur kohën për të kryer konsultime. E ke përkthyer planin nga anglishtja në shqip para disa muajsh, kur janë bërë konsultimet", i është drejtuar Gjergj Bojaxhi, Dritan Agollit. Bojaxhi, përveç debateve të ashpra me administratorin e bashkisë, ka kërkuar sqarime për burimet e energjisë në të ardhshmen dhe ndërtimin e shkollave në kohën e shtimit të popullsisë me 400 mijë banorë. Ndërkohë, Bojaxhi ka hedhur lumë akuzash duke e cilësuar Agollin si gënjeshtar, sepse nuk është bërë asnjë konsultë me qytetarët.

Tepër i nervozuar Agolli është fyer dhe ka ngritur tonet e debatit duke u përgjigjur se: "Jam babai i dy fëmijëve, të kesh turp që më akuzon mua për korrupsion. Unë po të prezantohej planin t‘i hedh baltë me politikën tënde të ndyrë. Të të vijë turp. Jam nëpunës i shtetit shqiptar, për punën time, nuk lejoj asnjë të më thotë që jam i korruptuar, që abuzoj me lejet e ndërtimit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›