Futbolli ngre në këmbë gjithë Kukësin
Festimet kanë nisur në stadiumin “Niko Dovana” dhe janë zhvendosur në qytetin verior, ku vazhdon jehona
Jehona e titullit kampion te kategorsië së dytë dhe e ngjitjes në kategorinë e parë ka vazhduar edhe të dielën në qytetin e Kukësit. Futbollistë të ekipit kuksian dhe drejtues të tij, kanë marshuar rrugëve të këtij qyteti në një automjet të improvizuar, ku janë përshendetur nga qindra sportdashës.
Aktivitetet kanë filluar në një takim në bashkinë e qytetit, ku kryetari Hasan Halili i ka përshëndetur futbollistët, stafin teknik dhe sponsorët, ne veçanti donatorin Flamur Hoxha. Kukësi arriti të sjellë në qytetin verilindor trofeun e kampionit të kategorisë së dytë, pasi mundi në finale Himarën, me rezultatin 2-1.
Kryebashkiaku Halili ka përgëzuar edhe tifozët kuksianë, që, sipas tij, kanë bërë vërtet rolin e lojtarit të 12 të. Një përgëzim në adresë të tifozërisë kuksiane ka bërë edhe drejtori teknik i ekipit, Sabri Balla. Sipas tij, ishte kjo tifozëri, që ia bëri më të lehtë fitoren Kukësit në stadiumin “Niko Dovana”.
Ndërsa trajneri Shahin Bereberi, në fillim të fjalës së tij, ka evokuar periudhen kur ka qenë futbollist me Partizanin në vitin 1988 dhe ka luajtur në Kukës për kupë, ku është pritur tepër miqësisht nga qindra sportdashës kuksianë. Kjo ka qenë një ndër arsyet, që sipas Berberit, e bëri të vijë në Kukes dhe ta drejtojë ekipin e këtij qyteti. “Ishte një sezon model.
Ne kategorinë e parë e siguruam 6 javë para përfundimit të kampionatit, por objektivi ynë ishte zënia e vendit të parë dhe shpallja kampion, që e arritëm falë kontributit të fubollistëve, stafit teknik, kryebashkiakut, tifozëve dhe sponsorëve. Por, nuk mbaron gjithçka këtu.
Punë të vështira na presin, pasi konkurimi në kategorinë e parë kërkon shumë punë, përkushtim, disiplinë e djersitje në stërvitje e lojë,” – tha në fjalën e tij trajneri Shahin Berberi. Në vazhdim kanë përshëndetur edhe futbollistë të Kukësit e disa sportdashës.
Pas aktivitetit të organizuar në mjediset e bashkisë, futbollistë, trajnerë, por edhe sportedashës, në një automjet të improvizuar enkas per kete qëllim kanë parakaluar rrugëve të qytetit me kupë në dorë për t’u përshëndetur me tifozërinë vendëse.