E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: Te Dinamo janë penduar që më larguan

“Gardiani” Ilion Lika rrëfen me emocion momentin e penalltive, suksesin e ndan me të gjithë

Ilion Lika, portieri që vetëm pak ditë më parë mbushi 31 vjeç, dje pa dyshim ka përjetuar një nga ditët më të lumtura, sepse pas një sezoni arrin që të fitojë trofeun e parë me fanellën e Tiranës. Dje, në “Niko Dovana” ka pritur tri penallti.

Asnjëherë nuk e ka thënë më parë se do hakmerrej ndaj drejtuesve të Dinamos për mënyrën se si e larguan në vitin 2004, por dje, me pritjen e tre 11-metërshave ka bërë një “hakmarrje” në mënyrën më diplomatike.

Në një intervistë ekskluzive që ka dhënë dje pas ndeshjes për “Sportin shqiptar”, portieri Ilion Lika, suksesin e djeshëm e ndan me të gjithë, duke filluar që nga presidenti, trajnerët shokët e skuadrës, stafin mjekësor, madje i jep merita edhe tifozerisë së Tiranës.

- Dinamo ju bëri të njohur, por pritët tri penallti dhe i dhatë Kupën Tiranës…?

- Zoti është i madh dhe i ndan gjërat. Ende e kujtoj atë largim në mënyrë të padrejtë nga Dinamo dhe ja se si rrodhën ngjarjet, sot unë jam me Tiranën dhe, duke pritur tri penallti, i dhash kupën skuadrës sime. U bëra faktor dhe Zoti shpërndau rrisqet, ne e konkretizuam me sukses sezonin, kjo më gëzon shumë.

- Në sezonin e parë me Tiranën arritët që të fitoni kupën. Kujt ia dedikoni këtë sukses?

- Nuk mund ta quaj kurrsesi një sukses personal, e fituam kupën dhe kjo është meritë e padiskutueshme e të gjithëve këtu te Tirana. Duke filluar që nga presidenti Halili, shefi i klubit, Dimraj, stafi i trajnerëve, shokët e skuadrës dhe pa dyshim tifozët e Tiranës.

Kudo ku shkojmë, të gjithë luajnë me 11 lojtarë, kurse Tirana ka 12 vetë. Dhe ata janë tifozët, që në çdo rreth me vështirësi dhe sakrifica na kanë mbështuer edhe në ditë të vështira të tyre dhe të skuadrës. Ata pa dyshim kanë një pjesë dhe kontribut të çmuar në arritjen e Tiranës. Unë i falënderoj për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë një viti dhe i premtoj se do të bëj akoma më shumë për Tiranën.

- Pritët tri penallti. Rastësi apo i keni kuptuar se si do të godisnin lojtarët kundërshtarë?

- Nuk e quaj aspak rastësi, ka qenë diçka normale sepse unë kam pritur gjithmonë penallti gjatë karrierës sime. Madje edhe këtu te Tirana këtë sezon. Kam gjithmonë besim te vetja dhe forcat e mia, ky është edhe çelësi i suksesit tim në çdo ndeshje. Jam tip ambicioz, edhe pse e mira s’ka fund.

Kur erdha këtu e dija që do të më besohej një detyrë shumë e vështirë, me presione trysni nga brenda dhe nga jashtë, por rezultatet është mirë që të merren në fund. Fundi tregoi se unë ia dola mbanë, kjo është më e rëndësishmja.

- Fituat kupën, problemet “sheshohen” tani dhe mendoni për Europën…?

- Nuk mund të rrinte Tirana pa dalë në Europë. Ia dolëm me sukses në Kupën e Shqipërisë, duhet që të fitonim titullin megjithatë të gjithë jemi koshientë për ato që ndodhën në sezonin që sapo ka përfundur. Tani të hapim një kapitull të ri dhe ta nisim me këmbën e parë sezonin e ardhshëm, duke filluar që nga Kupat e Europës.

Osmani: Sezon i suksesshëm, pas festës vendos

Pavarësisht se është ndëshkuar me karton të kuq, Tefik Osmani, dje ka festuar trofeun e tretë pas tri sezoneve me fanellën bardheblu. Pas titullit kampion, Superkupës, Kupa e Shqipërisë ka qenë trofeu i radhës për Osmanin me fanellën e 24 herë kampionëve. Pas ndeshjes, në një prononcim për “Sportin shqiptar”, Osmani u shpreh: “Tirana kishte kohë që mendonte për finalen e kupës. E realizuam objektivin dhe më vjen mirë që mbyllëm një vit me sukses.

Kishim shumë tension, sepse të gjithë e kishim konsideruar ndeshjen e sezonit. Tensioni u pa qartë te të gjithë lojtarët e Tiranës.” Osmani kujton edhe Kupën e humbur në “Niko Dovana” përpara dy sezonesh ndaj Flamurtarit. “Tashmë ishte radha që Tirana ta fitonte Kupën, pasi në këtë stadium kemi dështuar përpara dy sezoneve. Na ndihmoi edhe Zoti për mënyrën se si rrodhën ngjarjet.

” Në fund të prononcimit të tij, korçari, që i kanë ardhur oferta nga jashtë, por edhe nga Skënderbeu, ka pohuar: “E ardhmja? Unë nuk e di nëse do të ngre kupën e ardhshme me Skënderbeun apo jo. Më parë dua që të festoj për këtë sukses me Tiranën, ka kohë që të vendos se ku do të luaj sezonin e ardhshëm.”

Lila: Lotë nga gëzimi, Kupa e merituar

Kapiteni i bardhebluve, Andi Lila, është parë që të lotojë në fund të ndeshjes nga emocionet e fitimit të kupës. Për herë të parë si kapiten i Tiranës ai ka ngritur një trofe, atë të Kupës së Shqipërisë. Mbrojtësi energjik i bardhebluve, Lila që po kthehet në një nga pikat e forta të ekipit kombëtar, pas finales së djeshme mes emocioneve ka pohuar:

“Ishte një ndeshje shumë e bukur, në derbi nuk munguan emocionet për gjatë 120 minutave. Më erdhi shumë keq që e humba penalltinë, megjithatë fati më ndihmoi mua dhe Tiranën. Është penalltia e parë që unë humb. Pata dhe lot gëzimi, sepse është normale pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm që konkretizohet me sukses nga ana jonë.

Mendoj se për të tilla ndeshje ka nevojë kampionati ynë, sjellin emocione dhe i japin kënaqësi edhe tifozëve që vijnë në stadium. Këtë sukses si kapiten ia dedikoj familjes sime, ajo është përkushtuar shumë për mua gjatë kësaj periudhe.

” Ndër të tjera, Andi Lila foli edhe për ndeshjen që do të luajë kombëtarja jonë në Bosnjë. “Qershia mbi tortë” për mua do të ishte fitorja në Bosnjë, por edhe barazimi mendoj se është mirë. Atëherë ky sezon do të quhej me të vërtetë shumë i suksesshëm për mua.”

Presidenti Topi dekoron bardheblutë

Nuk kishte se si të mungonte në finalen e djeshme edhe kreu i shtetit, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi, i cili e ndjek Tiranën sa herë që ka ndeshje. Presidenti Topi njihet si një tifoz “i thekur” i bardhebluve. Ai në momentin e festës që po organizohej në tapetin e stadiumit “Niko Dovana”, pasi u ka ndarë fillimisht medaljet lojtarëve dinamovitë dhe më pas atyre bardheblu, ka dorëzuar dhe më pas e ka ngritur kupën së bashku me kapitenin e Tiranës, Andi Lila.

Dje, në ceremoninë e dhënies së trofeut ai ka thënë edhe dy fjalë për mediat: “Është një ditë e lumtur jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë shqiptarët.”

Bogdani e mbyll me gol në Serina A

Erjon Bogdani i ka bërë një mbyllje fantastike këtij sezoni në Serinë A, teksa ka shënuar golin e 8-të personal me Çezenën debutuese. Shtatlarti shqiptar ka fituar një 11-metërsh në minutën e 49-të në takimin Xhenova-Çezena, 3-2, kur rezultati ishtë 3-0 për vendësit. Para se të shkurtonte diferencën Bogdani, për Xhenovën kishin shënuar Flores në minutat 6 dhe 17 si dhe Palasio në të 45-n.

Pas Bogdanit për Çezenën shënoi edhe Himenez. Sulmuesi 34-vjeçar shqiptar ka qenë një nga pikat më të forta të Çezenës (i shpëtoi rënies në javën e parafundit) në këtë kampionat. Mbetet për t’u parë nëse Bogdani do të qëndrojë te Çezena apo do ta vijojë gjetkë karrierën.

Salihi, spektator në “sherrin” e Vjenës

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë derbit vjenez Rapid-Austria e Vjenës. Në minutën e 27-të, Sapo rezultati u mbërthye në shifrat 0-2, tifozët e Rapidit mësynë fushën, duke bërë që ndeshja të ndërpritej përfundimisht. Hamdi Salihi, sulmuesi shqiptar i Rapidit, nuk ka qenë titullar në këtë takim, por në stolin e rezervave në momentin e ndërprerjes së takimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›