E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mërgjyshi: Kush gabon më pak fiton kupën

Sipas trajnerit të Dinamos, Artan Mërgjyshi, në finale duhet shumë përqendrim për të triumfuar

Skuadra e Dinamos i ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kryeqytet dhe më pas është drejtuar drejtë Golemit për të kaluar mbremjen e së shtunës. Blutë duken tepër të karikuar dhe të motivuar, por do të jetë fusha e blertë ajo që do të ndajë çdo parashikim. Trajneri Artan Mërgjyshi, në përfundim të seancës stërvitore, ka folur për mediat e pranishme duke analizuar situatën përpara derbit. Sipas kryepankinës blu, në një ndeshje të tillë fiton ai që gabon më pak, ndaj dhe Mërgjyshi kërkon përqendrimin maksmimal nga ana e futbollistëve të tij, nga sekonda e parë dhe deri tek e fundit, për sfidën që do të zhvillohet në “Niko Dovana”.

- Mërgjyshi, sa e rëndësishme është për ju kjo finale e Kupës së Shqipërisë?

- Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet për vetë faktin që luhet kundra Tiranës, një emër i madh i futbollit shqiptar, ashtu si edhe Dinamo. Ndërkohë që motivi tjetër ka të bëjë me faktin se nuk duam ta byllim të dështuar këtë sezon futbollistik, duam të luajmë këtë finale dhe të fitojmë një trofe.

- Është një plus për karrierën tuaj si trajner në rast se fitohet ky trofe?

- Karriera ime ka ende kohë, do të ishte mirë që Dinamo të fitonte një trofe, kjo është më e rëndësishme, ndërkohë që karriera ime ngjitet shkallë-shkallë.

- Si do të jetë atmosfera e derbit, kur tashmë është zyrtare që do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit?

- Derbi do të mbetet gjithnjë derbi, në çdo stadium që mund të luhet. Pavarësisht se është një finale dhe palët ruhen më shumë, do të mundohemi të ruajmë në lartësinë e duhur bukurinë e kësaj sfide, pavarësisht se është spostuar në Durrës. Ne jemi ambientuar me njëri-tjetrin dhe dihet që këto dy skuadra luajnë një ndeshje të fortë kur përballen.

- Veç jush, duket se edhe Tirana po kalon probleme financiare?

- Pothuajse të gjitha skuadrat e kampionatit shqiptar kanë probleme financiare, por këto probleme harrohen nesër (sot), kur do të zhvillohet një finale që edhe ata ashtu si ne dëshirojnë ta fitojnë. Besoj se të dyja palët e dëshirojnë këtë trofe, kështu që faktorë të tillë nuk ndihen në fushën e blertë kur flitet për një sfidë të vetme, nga e cila, ai që gabon më pak, në fund ngre në qiell trofeun e shumë kërkuar.

- Në kampionat Tirana e ka fituar një derbi, ndërkohë që 2 kanë përfunduar barazim? Mos është radha  juaj për të triumfuar në kupë?

- Shpresojmë shumë që të jemi ne fituesit e këtij trofeu, por në futboll nuk ka radhë. Ne duhet të përkushtohemi nga vërshëllima e parë dhe deri tek e fundit e gjyqtarit të sfidës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›