E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Futbolli ynë i ndotur, ja si mund ta pastrojmë"

Futbolli shqiptar është i ndotur. Këtë tashmë të gjithë e dinë, por pikërisht me ligjin që është bërë për paracaktimin e rezultateve duhet ta pastrojmë atë. Natyrisht, duke kërkuar bashkëpunimin e të gjitha hallkave, me vullnetin e të gjithave instancave". Këto kanë qenë ndër fjalët që Kryeprokurori i Apelit dhe njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Shqiptarë, Shkëlqim Hajdari, ka thënë në televizionin "News 24". Hajdari, që njihet edhe si dashamirës i sportit, ka përmendur ligjin për trukimet të hartuar në vitin 2009, pikërisht me iniciativën e tij, por nga ana tjetër, ka pranuar që futbolli nuk është shëruar nga fenomeni i paracaktimit të rezultateve, përkundrazi, është ndotur më keq nga këto fenomene. "Ka pasur denoncime, dosje që kanë kaluar në pro-kurori, por në krahasim me çfarë kemi parë, janë shumë-shumë pak. Si rrjedhojë, duhet bashkëpunim i të gjithë aktorëve, federata e para, së bashku me klubet që duan të mbeten të pastër, të denoncojnë menjëherë, në mënyrë që prokuroria të hetojë dhe më pas të vendosë gjykata", - ka shtuar Hajdari.
PRIVATIZIMI
Shkëlqim Hajdari flet edhe për mënyrën se si klubet mund të funksionojnë më mirë. "Në vendin tonë futbolli është rrëmujë. Një klub drejtohet nga bashkia, një tjetër ka presidentë, ndërsa ndonjë klub tjetër ka dy ose më shumë donatorë. Pra, nuk kemi një formë ligjore të saktë. Personalisht jam që klubet të privatizohen. Që të mos dalë një person apo një politikan ta përdorë si të dojë dhe në fund ta flakë tutje. Jam sportdashës dhe futbollin e dua shumë, por nuk jemi duke shijuar. Përveç faktit të mirë që Partizani po rikthehet, kemi faktin tjetër negativ, që Dinamo lëngon në kategori inferiore. Ka dhe shembuj të tjerë. E di që forma e privatizimit nuk është e lehtë, kam diskutuar edhe me ekspertë për këtë, por që të mos humbim më kohë, duhet të fillojë ky proces dhe pas disa viteve, të kemi klube më të shëndosha dhe natyrisht më moderne", - thekson Hajdari.
POLITIKA
Në studion e "News 24", prokurori Hajdari ka folur edhe për ndërhyrjen herë pas here të politikës në futboll. "Vërtet që u është hequr imuniteti deputetëve, por për hir të së vërtetës disa politikanë sërish janë të paprekshëm në stadiume. Ne i kemi parë jo vetëm në kronika televizive, por edhe vetë në stadiume. Kështu që, policia të mos ketë frikë, por t'i shoqërojë ata, pse jo, t'i denoncojë. Asnjë, qoftë majtas apo djathtas nuk mund të abuzojë, futbolli është i të gjithëve. Duhet ta kthejmë sërish këtë sport në kënaqësi, pasi për hir të së vërtetës, kohët e fundit shumë pak dëfrim kemi marrë nga futbolli.
(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›