E Diel, 1 Nëntor 2026

FSHF luan "pingpong" me Kukësin, gjyqtarët e huaj nuk merren në shqyrtim

Në Federatën Shqiptare të Futbollit drejtuesit e sektorëve luajnë "pingpong" me njëri-tjetrin. Javën e kaluar, më saktë të premten, klubi i Kukësit bëri një kërkesë, ashtu siç e parashikon edhe rregullorja, për gjyqtarë të huaj në ndeshjen e kthimit për gjysmëfinale të Kupës mes Laçit dhe Kukësit. Në fakt, klubi verilindor këtë e ka deklaruar kohë më parë që do ta bënte, si pasojë e diskriminimit nga bluzat e zeza. Për miratimin apo jo të kësaj kërkese, iu drejtuam, së pari, shefit të sektorit të gjykimit, Tahir Kastrati, i cili e pranoi që ka ardhur kërkesa e kuksianëve, por me këtë merret sekretariati. Kontaktuam me sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili pohoi që e ka në dorë sektori i garave. Në fund kontaktuam me shefin e sektorit të garave, Besnik Çela, i cili na rikthen te sektori i gjykimit. Kush e ka përgjegjësi? Ndërkohë, në komentet e tyre pohojnë se kjo kërkesë mund të mos merret parasysh, sepse edhe Laçi kërkoi gjyqtarë të huaj. Por kujtojmë që Laçi kërkoi 8 ditë para ndeshjes, dhe jo 10 siç e parashikon rregullorja. Gjithsesi, klubi i Kukësit kërkon një përgjigje, qoftë edhe negative. Presidenti i këtij klubi, Safet Gjici, deklaron se "nuk kemi marrë asnjë përgjigje". 
(a.k/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›